Qeveria shqiptare dënon heqjen e përmendores së dëshmorëve në Luginën e Preshevës. Në reagimin zyrtar të shpërndarë për mediat, qeveria e konsideron heqjen e memorialit të UÇPMB-së si një tjetër dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve të Beogradit. Sipas qeverisë shqiptare, përmes këtij akti Beogradi ka shkelur ligjet dhe konventat ndërkombëtare. 
“Qeveria shqiptare u bënë thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.”- nënvizohet në njoftim. 

Reagimi i plotë i qeverisë shqiptare

“Qeveria Shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitroloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, i përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës që ranë për tu bërë të pavdekshëm në luftë për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar kundër regjimit barabar të Milloshevicit. Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti shqiptare e Slobodan Milloshevicit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit. Me këtë akt të rëndë autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Europës si dhe Kartën Europiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Europës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t'i zbatojë. Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë pa asnjë lëkundje liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat nuk mund të kenë në asnjë rast standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e veriut. Qeveria shqiptare iu bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.” 

Prishtina zyrtare: heqja e lapidarit, akt i shëmtuar 

Qeveria e Kosovës shprehet e indinjuar me veprimin e autoriteteve të Serbisë për heqjen me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës. 

“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit”,- thuhet në deklaratën me shkrim të Qeverisë së Kosovës. 

“Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit, tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët”, thuhet në deklaratë. 

Ky veprim i autoriteteve serbe, cilësohet si i shëmtuar dhe jocivilizues. Veprime të tilla, “nuk e ndryshojnë dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë, përkundrazi, vetëm sa e forcojnë atë dhe na rikujtojnë se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar”, vazhdon reagimi i Qeverisë së Kosovës. 

Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi të Serbisë. 

“Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike”, – thuhet në këtë deklaratë. 

Në fund të reagimit thuhet se “ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”. 

Propozohet zhvendosja e lapidarit 

Ndërkohë në mbledhjen e udhëheqjes të dy shoqatave të veteranëve të luftës të UÇPMB-së, është vendosur që të propozohet zhvendosja e lapidarit të UÇPMB-së nga sheshi i Preshevës në oborrin e xhamisë, ose të Shtëpisë së Kulturës së këtij qyteti. 

Sot në orën 11:00 në një mbledhje të caktuar me liderët e 6 partive politike të shqiptarëve të Luginës, do të prezantohet ky vendim, transmeton gazeta serbe Blic. Pritet që pas kësaj mbledhjeje të njoftohet Qeveria e Serbisë dhe nga ajo të kërkohen disa ditë për zbatimin teknik të këtij vendimi. 

Lajmin e transmetuar nga mediat serbe, të cilat duke ju referuar burimeve të OVL të UÇPMB-së, kanë folur për një marrëveshje për zhvendosjen e lapidarit tek xhamia apo oborri i shtëpisë së kulturës, e ka hedhur poshtë Jonuz Musliu, lideri i PLD-së dhe ish-drejtor politik i UÇPMB-së, duke i quajtur këto vetëm spekulime.