SHBA, 14 qershor 2013 – Shtëpia e Bardhë ka thënë se hetuesit amerikanë kanë konstatuar se Qeveria e Sirisë ka përdorur armë kimike disa herë dhe se Shtetet e Bashkuara do të nisin tani ofrimin e ndihmës ushtarake për rebelët sirianë.
Presidenti Barack Obama ka paralajmëruar më herët se përdorimi i armëve kimike është “vija e kuqe”, e cila do të çojë në përfshirje më të madhe të SHBA-së në konfliktin e Sirisë.
Nuk është bërë ende e qartë se çfarë lloj ndihme ushtarake do të ofrojë Uashingtoni.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se agjencitë e inteligjencës amerikane kanë konstatuar se Qeveria siriane ka përdorur armë kimike, përfshirë agjent sarin, në shkallë të vogël kundër opozitës.





