TIRANE – Një akt normativ i miratuar një ditë më parë nga Këshilli i Ministrave i hap dritën jeshile njohjes dhe legalizmit të shtesave informale në pallatet ku ka pasur devijime të projektit të miratuar në lejen e ndërtimit. Një proces i tillë do të bëjë të mundur që qytetarët t’i hipotekojnë pronat që kanë në zotërim.
Akti i djeshëm i qeverisë ka qëllim pajisjen me leje përdorimi të strukturave që kanë përfunduar ndërtimin në datën e fillimit me efekte të plota të ligjit “Për planifikimin e territorit”, pasi të kenë plotësuar dokumentacionin e përcaktuar nga ligji “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar.
Pajisja me leje përdorimi për strukturat e përcaktuara në akt bëhet pas dorëzimit nga ana e subjektit ndërtues/investitorit të dokumentacionit sipas projektit të zbatuar. Strukturat do t’i nështrohen kolaudimit teknikoekonomik, në përputhje me legjislacionin në fuqi, sipas projektit të zbatuar.
Më tej specifikohet se miratimi i listës së strukturave, që pajisen me leje përdorimi sipas ketij akti normativ, bëhet me vendim të këshillit vendor të njësisë përkatëse të pushtetit vendor.
Afati i aplikimit për t’u pajisur me leje përdorimi, sipas këtij akti normativ, është deri në 12 (dymbëdhjetë) muaj pas miratimit të planeve të përgjithshme vendore të njësive të qeverisjes vendore.





