Tiranë, 15 qershor 2014 – Secili prej 28 plazheve në të gjithë territorin e vendit të autorizuara për përdorim publik do t'i nënshtrohet kushteve mjaft strikte si për sa i përket sigurisë e higjienës, ashtu dhe për sportet ujore që do lejohen në secilin prej tyre. Përmes një vendimi për sigurinë në det, plazhe e ujërat në brendësi të territorit, Këshilli i Ministrave ka identifikuar tre llojet e sporteve ujore që mund të kryhen në këto plazhe: zonat e identifikuara për zhytje; zonat e identifikuara për parashutizëm detar, parasailing dhe suirfing; dhe zonat e identifikuara për rafting.
Elementet e sigurisë
Çdo zonë e caktuar duhet të kufizohet me distancën e lejuar nga bregu me anë të bovave lundruese dhe shenjave përkatëse të sigurisë dhe rrezikut. Bovat sinjalizuese për zonat e notuesve: Zonat për notim duhet të jenë të kufizuara me bova (ku përdorimi i varkave dhe mjeteve ujore me ose pa motor është i ndaluar kategorikisht). Si dhe bovat për sinjalizimin e zonave të përdorimit të mjeteve lundruese për argëtim: Zonat për përdorimin dhe ankorimin e mjeteve lundruese me ose pa motor, jashtë zonave të përcaktuara për notim, duhet të jenë të kufizuara, duke ofruar vende për ankorim (kalata), vendparkim në tokë dhe bova për përcaktimin e korridoreve për afrimin dhe parkimin në tokë të mjeteve ujore me ose pa motor (ku aktivitetet e notimit janë të ndaluara). Vendimi përcakton vendosjen e flamujve me shkop (çdo ditë gjatë sezonit të verës, mbajtësi i lejes së përdorimit të plazhit apo ndonjë nga punonjësit e tij duhet të vendosë një flamur në përputhje me kushtet e motit dhe të detit): i) Flamur i gjelbër, autorizohet notimi; ii) Flamur i kuq, larja është e ndaluar.
Kulla vrojtimi
Në plazhet e autorizuara, në shkopin e flamurit duhet të ketë edhe një poster me informacion mbi kushtet e plazhit "Plazh i përshtatshëm për notim" në shqip dhe anglisht, me shkronja blu. Për plazhet e paautorizuara, posteri duhet të tregojë "plazh i pasigurt për notim", në shqip dhe anglisht, me shkronja të kuqe. Prania e flamujve dhe posterave për siguri dhe higjienë në vende të paautorizuara është përgjegjësi e njësive të qeverisjes vendore. Orari i hapjes së plazheve të jetë nga ora 08:00 deri në perëndim të diellit, orar gjatë të cilit duhet të ofrohet shërbimi i vrojtuesve nga njësitë e qeverisjes vendore. Çdo zonë e deklaruar për plazh dhe aktivitete të tjera çlodhëse duhet të ketë kulla vrojtimi për çdo 200-250 metra plazh me lartësi 3 metra. Kulla e vrojtimit duhet të ketë vrojtues, të veshur në mënyrë të përshtatshme dhe të trajnuar me kompetencat për të shpëtuar jetën dhe për ndihmën e parë. Vrojtuesit duhet të jenë me shërbim gjatë gjithë orarit që plazhi është i hapur.
Çadrat 7.5 m nga bregu, 2 m larg nga njëra-tjetra
Askush nuk do jetë më në gjendje të zërë si pas dëshirës hapësira publike në bregdet për motive përfitimi, përmes atyre që aktualisht i njohim si plazhe private. Një aktivitet i tillë do të mund të kryhet nga subjektet, vetëm nëse u miratohet nga autoritetet përkatëse e drejta e krijimit të "Stacioneve të plazhit" – veprimtaria turistike e ushtruar nga personat fizikë ose juridikë në strukturat e pozicionuara në breg të detit, të liqeneve, lumenjve, rezervuarëve dhe përrenjve, të pajisura për plazh me kabina, dhoma zhveshjeje, shërbime higjienike dhe dushe. "Strukturat mund të jenë të pajisura me impiante të tjera dhe pajisje për përgatitjen e pijeve e të ushqimeve dhe për ushtrimin e veprimtarive të tjera të lidhura me plazhin, si: banjo dielli, kura termale, veprimtari sportive dhe argëtuese", përcakton Këshilli i Ministrave në vendimin për përcaktimin e rregullave të ushtrimit të këtij aktiviteti në vend.
Kushtet
Stacioni i plazhit duhet të ketë hapësira të gjelbra ose zona të përbashkëta, të cilat të jenë të paktën 1% deri në 5% të sipërfaqes së përgjithshme të stacionit të plazhit. Çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të vendosen jo më afër se 7.5 m nga bregu. Në rastet kur zona e plazhit ka një gjerësi më të vogël se 7.5 m, e llogaritur kjo nga bregu i detit, largësia e përcaktuar më sipër, për vendosjen e rreshtit të parë të çadrave, nuk do të respektohet. Midis bregut të detit dhe rreshtit të parë të çadrave, do të lihet një korridor në dispozicion të lëvizjes së lirshme të pushuesve. Hapësira prej 2.5 m përpara brezit të parë të çadrave të jetë e lirë për t'u përdorur nga publiku me pajisjet e veta. Hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) në stacionet e pozicionuara në zonat ranore të jetë më e madhe se 2 m. Të ketë nga një dush me ujë të ëmbël për çdo 50 çadra.
Shërbimet higjienike
Çdo stacion plazhi duhet të jetë i pajisur me shërbime higjienike të paktën 2 për 50 çadra, nga të cilat, një për burra dhe një për gra. Të ketë kabina zhveshjeje të paktën 2 për 50 çadra. Të jetë i pajisur me zonën e ndihmës së shpejtë në shërbim të pushuesve. Të jetë i pajisur me telefon publik. Të jetë i pajisur me kontejner dhe kosha me kapak për hedhjen e mbeturinave. Çdo çadër të jetë e pajisur me krevat plazhi, Të reklamojë identitetin e subjektit dhe çmimet për shërbimin e ofruar. Stafi që shërben pranë stacioneve të plazhit të ketë uniformë dalluese. Të zbatojë kodin e etikës globale në fushën e turizmit. Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të plazhit të jetë ditor, në mëngjes dhe në mbrëmje, pas mbylljes së plazhit. Në të gjithë territorin e plazhit ndalohet vendosja e elementeve ndarëse, gardhe apo të tjera të ngjashme me to.
/Gazeta Shqiptare/





