Qeveria ka vendosur sot dëmshpërblimin 100% për të gjitha shtëpitë e dëmtuara në zonën e Zharrëzës. Zv.kryeministri, Niko Peleshi, me anë të një deklarate për mediat, bëri me dije se përveç dëmshpërblimit, do të hetohen edhe shkaqet e lëkundjeve në këtë zonë.
“Afati është 30-ditor dhe kërkojmë bashkëpunimin e banorëve. Banorët e dëmtuar të Zharrëzës do të dëmshpërblehen 100%. Në këtë mënyrë, adresohet problematika në Zharrëz”, deklaroi Peleshi.
Sipas tij, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka ndalur kompaninë ‘Bankers’ të injektojë ujë në gëlqerorë të zonës së Zharrëzës si dhe ka ngritur një grup ndërinstitucional për vlerësimin e dëmeve.
Peleshi lëshoi edhe një mesazh për opozitën, duke deklaruar se me këtë vendim çështja dhe shqetësimet e këtyre banorëve, nuk mund të politizohen më. “S’ka më lëndë të parë për spekulantët, sakrifica e banorëve të Zharrëzës nuk mund të jetë lodra e tyre”, tha ai.
Banorët e Zharrëzës udhëtuan në këmbë drejt Tiranës për të protestuar para MEI për shqetësimet e vazhdueshme nga lëkundjet e tokës dhe për dëmtimin e shtëpive të tyre.





