Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mblidhen sot më 26 nëntor në mbledhjen e përbashkët, e cila mbahet në Pejë.
Pas zotimit për unifikimin e doganave, Kosova dhe Shqipëria pritet të aprovojnë edhe kërkesën e kahershme të Bashkimit Evropian për heqjen e tarifës së shërbimit të romingut, në kuadër të telekomunikimit ndërmjet këtyre dy shteteve.
Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të heqin këtë tarifë, si formë lehtësimi për komunikimet mes qytetarëve.
Tarifa e Romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.
Për heqjen e tarifave të romingut në muajin qershor edhe Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë të veçantë.
Ekspertë të fushës së telekomunikimit dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se marrëveshja për heqjen e romingut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është në dobi të qytetarëve dhe bizneseve.
Mbledhja e përbashkët e dy qeverive që do të mbahet në Pejë ka edhe koston financiare. Për këtë takim Qeveria e Kosovës ka aprovuar shumën prej 128 mijë eurosh, që sipas ekspertëve të ekonomisë konsiderohet shumë e lartë.
Ky do të jetë takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës në Shqipëri.
Axhenda
10:15 Ceremonia shtetërore e mirëseardhjes
10:30 Fillimi i mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë
12:00 Ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërmjet dy qeverive
12:30 Konferenca e përbashkët për media e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama
13:00 Fotografia e përbashkët e të dy kabineteve qeveritare