Me qindra besimtarë ortodoksë u mblodhën pasditen e kësaj të premteje në katedralen e Apostul Pavlit dhe Shën Astit në Durrës për të marrë pjesë në ceremoninë e Udhës së Kryqit, e njohur ndryshe si lëvizja e Epitafit të Krishtit.
Ceremonia e shërbesës së epitafit dhe procesioni filloi nga katedralja ortodokse e qytetit bregdetar rreth orës 18.45.
Ky është një rit fetar, që organizohet mbrëmjen e të premtes së zezë dhe shpreh dhimbjen e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.
Ka qënë një kortezh i madh besimtarësh që kanë shoqëruar Epitafin nga kisha dhe përgjatë lëvizjes së tij në rrugët e qendrës së qytetit. Epitafi në fenë e krishterë simbolizon trupin e Krishtit pas zbritjes nga kryqi dhe ceremoninë mortore të tij.
Me një marshim të heshtur, të shoqëruar nga tingujt e bandës së qytetit, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional në bulevardin kryesor të qytetit.
Në të gjithë vendin, besimtarët ortodoksë u bashkuan në lutje dhe reflektim në pritje të festës së Pashkëve, që kremtohet mesnatën e së shtunës, duke u gdhirë dita e diel.





