Me qindra besimtarë ortodoksë në Durrës kanë marrë pjesë në ceremoninë e Udhës së Kryqit apo siç njihet ndryshe të lëvizjes së Epitafit të Krishtit.

Është ky një rit fetar, që organizohet mbrëmjen e të premtes së zezë dhe shpreh dhimbjen e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.

Ceremonia e shërbesës së epitafit dhe procesioni filloi nga katedralja e Apostul Pavlit dhe Shën Astit.

Ka qënë një kortezh i madh besimtarësh që kanë shoqëruar Epitafin, atë që në fenë e krishterë simbolizon Krishtin në kryq. Besimtarët ecën përgjatë rrugës “Egnatia” dhe bulevardit “Epidamn” në një marshim të heshtur për t’u kithyer sërish në kishë.

Dita e premte e kësaj fundjave, në liturgjinë fetare, përkon me të Premten e zezë, që simbolizon vdekjen e Jezusit.

Sipas historiografisë kishtare, Jezu Krisht vdiq në kryq ditën e premte, për t’u ringjallur më pas mesnatën e së shtunës duke u gdhirë e diela, që përkon edhe me festën e Pashkëve, festa që së bashku me Krishtlindjen, është më e rëndësishmja në kalendarin e krishterë.