Etiketën e njeriut të qetë, Karlo Ançeloti e ka mbajtur pothuajse gjatë të gjithë karrierës së tij si trajner. Italiani nuk ka dalë nga “shinat” e tij as në Tiranë, teksa qindra tifozë të Bajernit të Mynihut, skuadrës që po drejton aktualisht, Milanit, Realit, por edhe të skuadrave të tjera e kanë pritur në kryeqytet.
Tekniku, pas takimit në Kryeministri, në mbrëmjen e djeshme ishte i pranishëm në dyqanin “TCOM”, në zonën e ishBllokut, ku e prisnin tifozët e tij. I emocionuar nga qindra njerëz që i kërkon autografe dhe foto, Ançeloti u plotësoi dëshirën të gjithëve, duke qëndruar rreth 30 minuta me fansat e shumtë.
Të gjithë që iu drejtuan trajnerit italian kishin diçka për t’i thënë. Tifozët e Bajernit i kërkuan atë që di të bëjë më mirë, fitimin e Ligës së Kampionëve. Ata të Milanit, të shumtë në numër dhe nostalgjikë nga sukseset me Ançelotin në krye të ekipit kuqezi donin rikthimin e strategut.
Ndërsa tifozët e Realit u mjaftuan vetëm me një falënderim, duke i treguar mirënjohje njeriut që bëri të mundur ëndrrën e Championsit të 10-të në histori, trofe që i mungonte prej shumë vitesh Realit, para se në stol të ulej italiani. Nuk mungonin as tifozët e Juventusit, të cilët, pasi i kujtuan eksperiencën e parë të rëndësishme si trajnerin, e sfiduan për fitimin e Champions-it.
Me pak fjalë, Tirana i rezervoi një pritje të ngrohtë Ançelotit, i cili me sukseset e tij si trajner ka fituar zemrën e shumë sportdashësve në vendin tonë.





