Asnjë qytetar durrsak që banon në banesat e ish pronarëve nuk do të paraqitet për të tërhequr formularin pranë Entit të Banesave dhe me të të paraqitet më pas në Bankën Kombëtare Tregtare. Pak pas miratimit në parlament të aktit normativ për lirimin e banesave të ish pronarëve, kreu i shoqatës së qiramarrësve në Durrës, Myftar Kurti, deklaroi për “Dyrrah” se vendimi i tyre është i formës së prerë.
Kjo kategori është e vendosur të qëndrojë në banesat ku është sistemuar që në vitet e regjimit të kaluar derisa shteti t’u japë mundësi të sistemohen në apartamente të reja. Pavarësisht se akti normativ u kërkon këtyre familjeve që t’i lirojnë banesat ku janë strehuar për dekada me rradhë deri në datë 1 nëntor, Kurti thotë se ata nuk do të lëvizin nga shtëpitë e tyre.
“Akti normativ shkel katërcipërisht katër nene të kushtetutës së Shqipërisë, nenin 3,15,17 dhe 18,- thotë Kurti,- dhe për këtë ne e kemi çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese”. Në kërkesën e drejtuar këtij institucioni kjo shoqatë kërkon që akti normativ nr.3, dt.01/03/2012 i këshillit të ministrave “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pa strehë, banues në banesat e ish pronë e subjekteve të shpronësuara” të shpallet antikushtetues.
Ditën e enjte akti normativ kaloi në parlament vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që tre deputetë të LSI-së abstenuan, ndërsa socialistët nuk morën pjesë në votim. Miratimi i këtij akti dhe zbatimi në praktikë i tij pritet të krijojë përplasje mes anëtarëve të kësaj shoqate dhe organeve shtetërore të ngarkuara për t’i nxjerrë ata nga shtëpitë.
Përplasjet
Çështja e strehimit vazhdon të mbetet një problem social në vendin tonë që nuk ka arritur të gjejë zgjidhje. Pas shpronësimeve të bëra gjatë viteve të regjimit komunist, pas ardhjes së demokracisë qeveria u mundësoi familjeve shqiptare që jetonin në pallatet shtetërore privatizimin e tyre. Nga ky proces u përjashtuan familjet që jetonin në shtëpitë e ish pronarëve të shpronësuar.
Megjithëse gjatë këtyre viteve rreth 2000 familje të kësaj kategorie janë sistemuar në apartamente të tjera sërish rreth 3200 familje në shkallë vendi vazhdojnë të qëndrojnë në këto shtëpi. Myftar Kurti thotë se nëse qeveria do të tregohet e vendosur për të respektuar afatet e vëna në letër situata në terren mund të përkeqësohet, pasi mund të ketë incidente sociale me pasoja fizike.
“Njerëzit nuk kanë ku të shkojnë. Shteti nuk mund t’i hedhë ata në rrugë me këtë ultimatum që lëshon e që i përfundon afati në 1 nëntor. Përsa kohë shteti nuk mendon për strehimin e tyre nuk duhet të ndërmarra hapa të tillë ekstremë që do të shkaktojnë tensione sociale”,- nënvizon Kurti.
Njerëzit nuk kanë ku të shkojnë. Shteti nuk mund t’i hedhë ata në rrugë me këtë ultimatum që lëshon e që i përfundon afati në 1 nëntor. Përsa kohë shteti nuk mendon për strehimin e tyre nuk duhet të ndërmarra hapa të tillë ekstremë që do të shkaktojnë tensione sociale”,- nënvizon Myftar Kurti
Në aktin normative përcaktohet se Enti i Banesave (si institucioni që zotëron listat e kësaj kategorie sociale) do të bëjë dorëzimin e listave pranë Bankës Kombëtare Tregtare, në datë 5 shtator, ku mund të paraqiten më pas këta të pastrehë për të përfituar kredi me interes 0, me afat shlyerje 30 vjeçar. Në letër zgjidhja e këtij problemi duket e thjeshtë, por më tepër prej këtij akti normativ penalizohen ata qytetarë që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme e që banka mund t’u refuzojë dhënien e kredisë.
Nëse do të strehoheshin në apartamentet e ndërtuara nga Enti i Banesave çdo familje do të ishte e detyruar të paguante çdo muaj një qira prej 5800 lekësh për një apartament 1+1 dhe 7.800 lekë për një apartament 2+1. Megjithëse detyrimi mujor nuk është shumë i lartë shumë prej këtyre familjeve krahas strehimit përballen me vështirësi të shumta ekonomike gjë që i penalizon ata për të përfituar kredi bankare.
Të pastrehët
Durrësi është një nga bashkitë në rang vendi, ku fenomeni i shpronësimeve ka qenë mjaft i ndjeshëm. Shumë banesa apo pallate të ndërtuara nga familjet e pasura durrsake u shtetëzuan në atë kohë. Durrësi renditet menjëherë pas Tiranës me rreth 800 qiramarrës. Megjithëse këto vite Enti i Banesave ka ndërtuar një sërë pallatesh në Durrës problemi i strehimit mbetet ende mjaft i mprehtë në qytetin bregdetar.
Apartamentet e ndërtuara nga Enti e që presin të ndahen janë shumë pak për të plotësuar të kërkesat e shumta në këtë drejtim. Zgjidhja mbeten apartamentet e ndërtuara nga firmat private vitet e fundit. Një pjesë e qiramarrësve që jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve jetojnë në kushte mjaft ekstreme, pasi amortizimi i banesave dhe mos vënia dorë për riparimin e tyre i ka bërë shumë nga këto ambiente të pabanueshme.
Kurti thotë se disa nga pallatet e mëdha si ai i Dovanave, i Shijakut mirëmbahen dhe banorët kanë investuar për shtëpinë ku jetojnë. Sipas tij situata është më e vështirë në disa banesa pranë rrugës tregtare, të cilat janë ndërtuar rreth viteve ’20. Ai i krahason ato me getot dhe thotë se qiramarrësit do gëzoheshin po t’u krijohej mundësia të iknin nga aty. Situata është shumë më e vështirë dhe disa prej familjeve janë larguar, në pamundësi për të jetuar në ato kushte.
Pronarët realë nuk kanë bërë investime në pritje të lirimit të pronës së tyre. Po ashtu kanë vepruar edhe qiramarrësit. Në bazë të aktit normativ ish pronarët do të ndjekin nga afër proçesin e lirimit të pronës së tyre. Nëse ky proçes nuk merr fund deri në 1 nëntor atëherë pronari njofton Entin, që regjistron kërkesën për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, në gjykatë. Me këtë vendim të gjykatës pronari drejtohet për tek përmbaruesi i cili bën ekzekutimin e vendimit.
Lefter Koka
Duhet zgjidhje e pranueshme nga të dy palët
Deputeti i LSI-së Lefter Koka, në emër të grupit parlamentar të kësaj force poltike kërkon që të gjendet një zgjidhje konsensuale, për të dy grupimet, si për ish pronarët dhe për familjet që qëndrojnë në shtëpitë e këtyre të fundit, si qiramarrës. Koka, i cili qëndrimin e tij e shprehu edhe me votë, kur abstenoi gjatë proçesit të votimit në kuvend të aktit normativ i mëshon qëndrimit, se qeveria duhet të gjejë një zgjidhje tjetër, për të mos përplasur dy grupimet.
“Çështja është se akti normativ, bën me dije që në 1 nëntor 1000 familje në Durrës duhet të lënë shtëpitë dhe si zgjidhje ju ofrohet aplikimi dhe marrja e kredisë me interesa zero në bankë për t’u strehuar në banesa të tjera. Realisht me kohën fizike në dispozicion të tyre, për 45 ditë është krejtësisht e pamundur që të përfitohet kredia në bankë, duke u kryer të gjitha procedurat. Por nuk është ky problemi më i madh, sepse banorët qeramarrës që jetojnë në shtëpitë e ish pronarësh, nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret për të përfituar kredi me pensionet e tyre, ndërsa banka kusht kryesor ka edhe kolateralin. Kjo është një shtresë popullsie që nuk ka kolateral. Në këtë pikë është e pamundur që t’i jepet zgjidhje këtij problemi. Por në krahun tjetër edhe shoqata e ish pronarëve ka shumë të drejtë të marrë shtëpitë e sekuestruara pas ‘45”,- thotë deputeti i Durrësit, Lefter Koka.
Duke analizuar qëndrimin e deputetëve të LSI në Kuvend për këtë çështje Koka nënvizon se edhe familjet që janë strehuar në banesa ish pronarësh janë të barabartë me ata që i privatizuan këto banesa në vitin ‘92 e më pas.
“Pse duhet që familjet e strehuara nga ish komiteti i Partisë, të trajtohen ca si të nënës e ca si të njerkës? Të gjithë deri para viteve 90 janë strehuar nga komiteti i Partisë, por privatizimi u krye për disa, me shuma prej 100 mijë lekësh, ndërsa familjet në shtëpi ish pronarësh duhet të marrin 50 mijë euro kredi në bankë për shtëpi. Zgjidhja do të ishte që banesat sociale të ndërtohen dhe shpërndahen për këtë shtresë të popullsisë e cila nuk mund të vërë kolateral në bankë e si rrjedhojë nuk mund të marrë dot kredi në bankë. Mendoj që qeveria duhet të gjejë një zgjidhje për rehabilitimin e kësaj shtrese, por të gjejë zgjidhje të pranueshme për të dy shtresat, jo vetëm për ish pronarët. Nëse kanë dyshime se ka persona që kanë dy vila, dhe banojnë në shtëpi ish pronarësh, le t’i analizojnë rast për rast, por nuk mund të vendoset që në rang kombëtar mbi 3 mijë familje të largohen nga shtëpitë në 1 nëntor. Kjo është e papranueshme dhe çon në vëllavrasje dy shtresat e popullsisë, sepse kemi të bëjmë me një çështje shumë të ndjeshme në komunitet”,- tha deputeti Koka për “Dyrrah”.