Pano Qirko u bë sërish protagonist në ndeshjen përballë Kukësit, ku veç paraqitjes së mirë arriti të presë dhe një penallti e ishte vendimtar për tri pikët e bluve. Qirko ka treguar sekretin e pritjes së penalltisë. Ai beson se Teuta nuk do të bëjë gabime dhe do të arrijë objektivin. Qirko e vlerëson maksimalisht Tiranën, por shprehet se Teuta do të kërkojë triumfin e radhës, pavarësisht vështirësisë që ka kjo ndeshje.

Pano, si ndiheni pasi ishit një nga protagonistët në ndeshjen me Kukësin?

Çfarë bëra unë? Nuk e bëra vetëm unë. E bëri skuadra, grupi, stafi, tifozët. Kjo ishte një fitore e grupit, jo vetëm e njërit. Para kësaj ndeshjeje nuk ishim shumë mirë, pasi lamë dy pikë me Erzenin, por kishim shumë besim për këtë ndeshje. Ishte një ndeshje e rëndësishme për të gjithë, por veçanërisht për ecurinë tonë në vazhdimësi.

Çfarë menduat para se të gjuhej penalltia?

Mendova se barazimi nuk do të ishte i drejtë, sepse bëmë gjithçka mirë në fushë. Para se të gjuhej penalltia, i kam thënë vetes që të mos ndryshoja mendje: doja të prisja lëvizjen e Barbosës dhe kështu e bëra. Në fillim dëgjova Rizvanin (trajneri i portierëve). E kishim studiuar Barbosën dhe më këshillonte gjatë javës trajneri Rizvani.

Kush është portieri që keni idhull dhe ju frymëzon?

Oblak është një portier, të cilin e kam pëlqyer gjithmonë që i vogël. Është një ndër portierët më të mirë.

A ishte fitorja ndaj Kukësit një mesazh për rivalët?

Ne duhet t’i japim mesazh vetes, por është gjithashtu e vërtetë që këtë javë fituam kur dhe të gjithë të tjerët fituan. Duhet të rikuperojmë dhe të bëjmë mirë, sepse kemi karakteristikat tona të rëndësishme e mund të arrijmë gjëra të rëndësishme.

Të shtunën luani ndaj Tiranës, sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje?

Padyshim që Tirana kërkon përqendrim maksimal, pasi është një skuadër shumë e mirë dhe ka cilësi brenda. Gjithsesi, kundër Tiranës ditën e shtunë do të kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë e të marrim një tjetër fitore.

Pra, synimi janë tri pikët në këtë ndeshje apo dhe barazimi do të ishte në rregull?

Tirana është një ekip i fortë. Besoj se janë një skuadër e mirë, por ne do të tentojmë tri pikët, sepse nuk kemi se çfarë humbim. Ne do të mundohemi ta fitojmë ndeshjen, por duke pasur parasysh që të mos pësojmë gol. E kemi përgatitur ndeshjen, kemi parë pikat e forta të kundërshtarit, dhe e njohim.

Si e shihni vazhdimësinë e sezonit?

Në këtë moment, gjëja më e rëndësishme është të mbyllet sa më mirë sezoni. Duhet të japim të gjithë maksimumin për ta mbyllur mirë kampionatin. Më pas do të shihet se çfarë do të ndodhë.