Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës është nderuar me çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, të zhvilluar mbrëmjen e së enjtes në sheshin “Liria”.

Çmimi i parë në këtë event ku merrnin pjesë 16 grupe nga Ballkani dhe Evropa është përmbyllja më e mirë që mund t’i bëhej aktiviteteve të QKF Durrës, që pavarësisht problemeve që shkaktoi pandemia organizuan përgjatë gjithë vitit një sërë aktivitetesh kulturore dhe sportive.

Me çmim të parë në këtë festival u nderua dhe këngëtarja e talentuar durrsake, vogëlushja Violeta Beshiri. Koreografi Arjan Plaku u shpreh i lumtur për këto dy arritje mjaft të rëndësishme në një festival ndërkombëtar.

QKF Durrës pritet të marrë pjesë gjatë muajit gusht në dy aktivitete kulturore ndërkombëtare, në Prishtinë dhe në Kiev, Ukrainë.

“Së shpejti ky grup do të marrë pjesë në dy festivale të tjera, të cilat do të zhvillohen jashtë Shqipërisë, në Kosovë, në festivalin  “Ylberi i Prishtinës”, në datat 11 deri më 14 gusht dhe Festivalin Botëror të Valleve që zhvillohet në Ukrainë, në Kiev, në datat 19 deri në 24 gusht 2021.”

Koreografi Plaku bën të ditur dhe planet për muajin shtator të QKF për hapjen e kursi të ri.

“Në fillimin e sezonit të ri të shkollës, në shtator, QKF do të rihapë një kurs të ri, pasi njëherë në dy vite ne hapim kurse të reja, për të rinovuar elementët dhe për të marrë elementë të rinj në ansamblin e qendrës.”

Sipas tij, angazhimi i vazhdueshëm me fëmijët e talentuar të Durrësit po jep frytet e tij, pasi po evidentohen gjithnjë e më shumë talente të spikatura në fusha të ndryshme të artit.