Për 7 ditë me radhë, në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, dhjetëra fëmijë nga vende të ndryshme të Evropës dhe Azisë morën pjesë në edicionin e 10 të Festivalit Ndërkombëtar Folklorik të Valleve Popullore.
Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës përfaqësoi vendin tonë në këtë event me grupin e valleve, interpretimi i të cilit u prit mjaft mirë nga organizatorët e këtij aktiviteti kulturor.
Nën drejtimin e përgjegjësit të sektorit të artit dhe koreografit Arjan Plaku, fëmijët e grupit të valleve sollën para artdashësve ukrainas dhe grupeve të tjera pjesëmarrëse 3 performanca të interpretuara me mjaft profesionalizëm.
Vallet popullore të veriut, Shqipërisë së mesme dhe ato të jugut si dhe larmishmëria e kostumeve, gërshëtuar me motivet tradicionale shqiptare krijuan një atmosferë të ndezur dhe të gjitha përformancat e fëmijëve durrsakë u pritën mjaft ngrohtë.
Kjo ishte hera e tretë që QKF merr pjesë në këtë festival ndërkombëtar me mbështetjen e bashkisë Durrës. Gjatë ditëve të qëndrimit në Kiev, grupi i QKF Durrës u prit në takim nga Ministri i Kulturës së Ukrainës dhe kryebashkiaku i Kievit.