Me nisjen e vitit shkollor në sistemin parauniversitar, rindizen motorët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Pas rreth tre muajsh pushime verore nxënësit, krahas impenjimit nëpër shkollat përkatëse, do të bëhen pjesë e veprimtarive artistiko – kulturore – sportive, të programuara për t’u zhvilluar gjatë këtij viti nga QKF-ja.
Pas një sezoni të suksesshëm, puna e QKF-së është përqendruar në përcaktimin e strukturës programore të këtij viti. Drejtoresha e këtij institucioni, Gladiola Busulla, thotë se vëmendja maksimale e stafit të saj do të përqendrohet në ditët e para të muajit tetor tek Fest Loja, edicioni i rradhës së të cilës do të mbahet në datat 3-7 tetor.
Rreth 30 grupe nga i gjithë vendi, nga trevat shqipfolëse, por dhe vendet ballkanike e europiane do të jenë pjesëmarrëse në këtë aktivitet. Surprizë e këtij edicioni mund të jetë një grup fëmijësh nga përtej oqeanit, më saktësisht nga Venezuela, megjithëse siç shprehet Busulla janë ende në pritje të konfirmimit.
“Fest loja është një nga veprimtaritë artistike më impenjative, për vetë specifikat e saj dhe numrin e madh të fëmijëve pjesëmarrës”,- thotë drejtoresha e QKF-së. Ndërkohë pas zgjedhjes së drejtuesve të senateve të shkollave do të vijojë puna me zgjedhjet për Parlamentin e fëmijëve.
Nga ana tjetër vëmendja e inspektorëve të QKF-së Durrës do të përqendrohet në audicionet për elementët e rinj që do të ndjekin kurset në çdo sektor. Ashtu si çdo fillim viti do të përzgjidhen talentet më të spikatur në fusha të ndryshme të artit, të cilët do të bëhen pjesë e kurseve specifike për të përmirësuar më tej pritjet e tyre artistike.
Krahas kësaj, grupi i fëmijëve të grupit të këngës së QKF-së do të marrë pjesë në edicionin e përvitshëm të festivalit ndërkombëtar të fëmijëve “Ylli i Prishtinës”, në Kosovë.
“Puna me fëmijët është sa e vështirë aq dhe e bukur njëkohësisht. Ne ndihemi mirë kur shkollat 9-vjeçare të qytetit i përgjigjen pozitivisht inisiativave të ndërmarra prej nesh. Vitin e kaluar kemi pasur një mori aktivitetesh të llojeve të ndryshme dhe jemi mjaft të kënaqur me atë që kemi arritur. Në aktivitetet ndërkombëtare në të cilat na ftojnë të marrim pjesë ne përfaqësohemi në ato veprimtari nga eksperienca dhe organizimi i të cilave ne kemi se çfarë të mësojmë”,- thotë Busulla.
Ajo nënvizon gjithashtu se gjatë muajit tetor dhe nëntor një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet festës së 100-vjetorit të pavarësisë. Me këtë rast do të organizohet konkursi i esesë “100-vjet pavarësi”, ku nxënësit e shkollave 9-vjeçare publike dhe private do të garojnë mes tyre për të përzgjedhur krijimet më të mira në këtë fushë.
Një vend i rëndësishëm do t’i kushtohet edhe veprimtarive sportive, të cilat si gjithnjë, shohin të angazhuar një numër të madh nxënësish e mësuesish. Gjatë vitit shkollor 2011-2012, QKF Durrës në bashkëpunim me shkollat publike e private të qytetit zhvilloi kampionate në disa sporte si ai i minifutbollit, ping pongut, volejbollit dhe basketbollit etj. Siparin e këtyre veprimtarive festive për këtë vit shkollor pritet ta hapë kampionati i ping pongut.