Sektori i Veprimtarive Masive në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Durrës organizon në formatin online Festivalin e parë Mbarëkombëtar të Këngës Popullore për Fëmijë.

Në këtë festival garues, i cili mbahet më 7 nëntor në orën 18:05 do të marrin pjesë përfaqësues këngëtarë të të gjitha Qendrave Kulturore të fëmijëve në vendin tonë si dhe të trevave shqipfolëse si Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi.

Konkurentët do të përfaqësohen me një këngë, krijim i ri ose këngë e vjetër popullore e qytetit, zonës, ose krahinës që përfaqëson.

Mësohet se në festival do të konkurohet për 3 kategori:

-Kategoria e parë: mosha 08-10 vjeç

-Kategoria e dytë: mosha 11-12 vjeç

-Kategoria e tretë: 13-14 vjeç

Këngët popullore janë të regjistruara në audio dhe videoklip, ku këngëtarët janë të veshur me kostumin tradicional të zonës. Rreth realizimit të klipit, konkurentëve u është kërkuar që video të realizohet në vende turistike apo muzeale të qytetit.

Ditën e shtunë do të bëhet edhe ndarja e çmimeve për këngëtarët triumfues. Ata do të vlerësohen nga një juri profesioniste si interpretues të këngës së vjetër popullore dhe si krijime të këngës së re me taban popullor ose motive popullore.