Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka ndarë sot çmimet e projektit “Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë”.
Juria, e përbërë nga Gaqo Bushaka, Anisa Ymeri, Enkelejd Lamaj, kanë vlerësuar tri vepra si më të mirat e këtij konkursi, ku morën pjesë 20 dorëshkrime. Mes 3 veprave fituese është edhe libri “Fani në kërkim të dritës” i autores dhe njëkohësisht drejtoreshës së kabinetit në bashkinë Durrës, Rovena Rrozhani.
Dy autorët e tjerë të tre veprave më të mira janë Luan Rama me romanin “Udhëtim drejt planetit Arbër” dhe Rudina Çupi me librin didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok”.
“Veprat fituese, që do të financohen nga QKLL-ja, janë:
Romani “Udhëtim drejt planetit Arbër” me autor Luan Ramën.
Motivacioni:
Për temën interesante, sa kombëtare aq edhe universale që trajton dhe gjuhën e pëlqyeshme e të kuptueshme për fëmijët. Shkrimi i librit qartazi është i paraprirë nga një kërkim jo i vogël dhe është një histori e bukur për fëmijët.
Libri didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok” me autore Rudina Çupin.
Motivacioni:
Për vlerat e larta gjuhësore, që nxit lidhjen e “shkëputur” të fëmijëve me zotërimin e gjuhës shqipe përmes historive.
Përralla “Fani në kërkim të dritës” me autore Rovena Rrozhani.
Motivacioni:
Për nxitjen e fantazisë së fëmijëve, duke i motivuar ata që të kërkojnë lidhjen e munguar me natyrën. I shoqëruar me ilustrime të arrira, libri e çon edhe më tej fantazinë e të vegjëlve”,– njofton Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.