Qendra për Nisma Ligjore Qytetare shpreh shqetësimin e saj lidhur me rastet e dhunës në familje në shqiptare gjatë periudhës së izolimit për shkak të COVID-19.

Në një reagim, QNL kërkon që Policia e Shtetit të vlerësojë riskun dhe të lëshojë urdhrat paraprake për mbrojten e menjëhershme të viktimave të dhunës.

“Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në secilën sallë komandimi në drejtoritë e policisë të ketë një numër të dedikuar për viktimat e dhunës me bazë gjinore, përfshirë viktimat e dhunës në familje; Gjatë këtyre ditëve të një mbingarkese telefonatash në drejtim të Policisë së Shtetit për leje lëvizjeje në numrat e tel 112 dhe 129, viktima e dhunës në familje nuk ka akses të shpejtë në këto numra dhe siguria e jetës së tyre mund të vihet në rrezik.”, sugjeron QNL ndër të tjera.

QNL i bën thirrje çdokujt që përballet me dhunë në familje që të telefonojë në numrin 0672754655 të kësaj qendre për t’u informuar, mbështetur dhe/ose referuar rastin pranë organizatave anëtare të Rrjetit të Monitorimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, të cilat do të ofrojnë shërbime dhe mbështetje sipas nevojave tuaja.

REAGIMI I PLOTË

Qendra për Nisma Ligjore Qytetare shpreh shqetësimin për rrezikun e dhunës në marrëdhëniet familjare gjatë kësaj situate të COVID-19 dhe sigurinë e viktimave të dhunës në familje. Ndërsa gjithnjë e më shumë po shkojmë drejt bllokimit të detyrueshëm për të frenuar përhapjen e COVID 19, kjo situatë mbart shumë rreziqe për gratë që janë shumë pranë me abuzuesit e tyre.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tregojnë se, në ndryshim nga kategoritë e tjera të veprave penale, dhuna në familje ka qenë shqetësuese gjatë muajit Mars 2020.  Procedimet penale për “dhunë në familje”, sipas nenit 130/a të Kodit Penal janë në shifra të përafërta.

Gjatë periudhës 01-31.03.2020 janë evidentuar nga ana e policisë, gjithsej 245 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare. Nga këto:

  • Janë trajtuar me kërkesë–padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes (UMM/UM), 141 raste
  • 89 raste janë proceduar sipas nenit 130/a të Kodit Penal dhe janë arrestuar 33 autorë
  • Janë evidentuar dhe proceduar 6 raste te shkeljes se UMM/UM.

Duke vlerësuar punën e bërë nga Policia e Shtetit dhe tërheqjen e vëmendjes nga Drejtoria e Përgjithshme e policisë së Shtetit për strukturat e policisë, me Letër Porosi Nr.2192, datë 25.03.2020 “Për vlerësimin maksimal dhe shtim të vëmendjes ndaj rasteve të dhunës në familje, gjatë kohës së kufizimit të lëvizjeve dhe zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së Covid 19”, me anë të kësaj letre të hapur dëshirojmë të rrisim vëmendjen e saj për rreziqet që krijon kjo situatë në lidhje me dhunën në familje.

Në radhë të parë, sugjerojmë që për shkak të kësaj situate të merren masa për të kryer vlerësimin e riskut nga Policia e Shtetit dhe Kordinatori/ja Vendor/e në rastet e dhunës në familje, si dhe të synohet ndalimi i konfliktit përmes lëshimit të Urdhrave Paraprakë për mbrojtjen e menjëhershme nga strukturat e dhunës në familje të Policisë së Shtetit. Kjo masë është më efektive në këtë situatë dhe do ta rriste efektivitetin  e mbrojtjes së anëtarëve të familjes nga dhuna.  

Nga të dhënat e Policisë së Shtetit nuk raportohen të jenë ushtruar këto mjete, të cilat parashikohen në ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje.

Gjithashtu, bëjmë thirrje të tregohet kujdes për sa vijon:

  • Të merren masa për lehtësimin e raportimit të dhunës në familje nga çdo viktimë. Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në secilën sallë komandimi në drejtoritë e policisë të ketë një numër të dedikuar për viktimat e dhunës me bazë gjinore, përfshirë viktimat e dhunës në familje; Gjatë këtyre ditëve të një mbingarkese telefonatash në drejtim të Policisë së Shtetit për leje lëvizjeje në numrat e tel 112 dhe 129, viktima e dhunës në familje nuk ka akses të shpejtë në këto numra dhe siguria e jetës së tyre mund të vihet në rrezik.
  • Viktimat e dhunës në familje duhet të përjashtohen nga sanksionet në rast të shkeljes së kufizimeve të vendosura në kuadrin e situatës së COVID-19;
  • Menaxhimi i koordinuar i rastit të dhunës merr një rëndësi të veçantë në këto ditë të vështira; Bashkëpunimi i policisë, koordinatores vendore kundër dhunës në familje dhe institucioneve anëtare të Mekanizmave të Koordinuar të Referimit të rasteve të Dhunës në Familje për përgatitjen dhe zbatimin e një plani sigurie për viktimat është shumë i rëndësishëm. Ne mendojmë se, Mekanizmat e Koordinuara të Referimit të rasteve të Dhunës në Familje,  pranë bashkive duhet të vazhdojnë punën për menaxhimin efektiv të rasteve të dhunës në familje, pavarësisht situatës së COVID-19, duke përmbushur detyrimet me të cilat i ngarkon ligji nr.9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar dhe aktet e tij nënligjore.
  • Rekomandohet që në vlerësimin e riskut të konsiderohet fakti që viktima dhe dhunuesi ndajnë të njëjtën shtëpi dhe të bëhet kujdes në përcaktimin e masave mbrojtëse të Urdhrit për Masat Paraprake të Mbrojtjes së Menjëhershme të nxjerrë nga policia e shtetit, ose në kërkesë paditë për Urdhër të menjëhershëm mbrojtje ose urdhër mbrojtje duke i kërkuar Gjykatës, masa në përshtatje me situatën e COVID-19 dhe që garantojnë veçimin e dhunuesit nga viktima dhe sigurinë e jetës së viktimave. 

QNL i bën thirrje çdo gruaje, vajze, anëtari familjeje që përballet me dhunë në familje,

  • Telefononi Policinë e Shtetit në nr e tel 112 dhe 129;
  • Telefononi në nr. e telefonit të Linjës Kombëtare për viktimat e dhunës në familje 116117 dhe Qendrës Lilium për menaxhimin e rasteve emergjente të dhunës seksuale: 0693079598
Po përballeni me dhunë në familje ose forma të tjera të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje gjatë këtyre ditëve në situatën e COVID-19? 

Tel në numrin 0672754655 të Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare dhe ne do t’ju informojmë, mbështesim dhe/ose referojmë rastin tuaj pranë organizatave anëtare të Rrjetit të Monitorimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, të cilat do të ofrojnë shërbime dhe mbështetje sipas nevojave tuaja.