Tiranë, 29 mars 2014 – Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar me rastin e përurimit të kabinetit të kapave në Shërbimin e Onkologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Këto pajisje mjekësore, të cilat instalohen për herë të parë në QSUT shërbejnë për përpunimin dhe dozimin e barnave specifikisht për çdo pacient, duke ofruar siguri të një shkalle më të lartë si për pacientin, ashtu edhe për punonjësit e shërbimit.
“Ne kemi deklaruar që dy janë grupet e sëmundjeve, me të cilat do të duhet të merremi në mënyrë themelore, sëmundjet tumorale dhe sëmundjet kardio-vaskulare. Dhe në fakt, për të gjitha sëmundjet, por edhe për këto, kemi bërë besoj që në këto gjashtë muaj të parë, hapa konkretë të rëndësishëm, qoftë me rritjen e ndjeshme të fondeve në dispozicion të listës së barnave për shërbimin onkologjik, madje me përfshirjen e disa barnave edhe në listën e rimbursimit”,- u shpreh ministri Beqaj.
Një risi tjetër që sjell përdorimi i këtyre pajisjeve është edhe planifikimi dhe organizimi më i saktë i cikleve të trajtimit të pacientëve me sëmundje tumorale, duke shmangur radhët e pritjes së tyre.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





