PRISHTINE, 23 shkurt 2013– “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka hequr nga tregu disa lloje qumështi me kuti që kanë rezultuar pozitiv në Aflatoksin”. Lajmin e ka dhënë agjencia përmes një njoftimi për shtyp.

“Këto produkte janë duke u hequr nga tregu nga Inspektorët Veterinarë të AUV-së dhe nga importuesit të cilët përmes pikave të tyre të shitjes janë urdhëruar që t’i heqin nga shitja deri në marrjen e super analizës, e cila vërteton rezultatin e parë ku në bazë të saj do të vendoset për kthim eventual në treg apo për asgjësim”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, luten qytetarët që llojet e produkteve sipas markës, përqindjes së yndyrës, llojit të paketimit, serisë së prodhimit vendit të origjinës, të preznatuara më poshtë, të mos blihen apo konsumuhen.

1 . Qumësht   “MEGGLE” 3.2% me datë të skadencës 23.06.2013 me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina;

2.  Qumësht “Fast” 3.5%  me datë skadence 03.06.2013 me origjinë nga Shqipëria;

3. Qumësht “Primalat”, 3.8%, data e skadencës 05.08.2013 , me origjinë nga Shqipëria; qumësht Primalat 1.5% ds. 10.03.2013, qumësht Primalat 1.6% data sk. 04.04.2013 si dhe qumështi Primalat 3.5 të dt. Skadencës 01.08.2013;

4. Qumësht  ZOTT 3.5 %  me datë skadence 10.06.2013 me origjinë nga Bosnja, të cilat kanë qenë me datë skadence të ndryshme si: 10.06.2013, 25.06.2013 20.05.2013, si dhe qumësht me 0.5% yndyrë me dt. Skadence 05.07.2013 dhe qumësht 2.8% me datë skadence 05.07.2013;

5. Qumështi Dukat 2.8% yndyrë me datë skadence 12.05.2013 dhe qumështi Dukat për kafe të gjitha seritë.

Në komunikatë, thuhet se qumështi i këtyre kompanive, por që nuk përputhet me të dhënat e lartëshënuara, është i sigurt për konsum.