TIRANE, 03 mars 2013 – Konfindustria, e konsideron një betejë për tregjet debatin e fundit lidhur me nivelin e aflatoksinës në qumështin e disa prej kompanive vendase. Administratori i  Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, u shpreh se kjo tymnajë mediatike vjen si pasojë e mosprofesionalizmit institucional në Shqipëri dhe Kosovë. Gjithashtu Buxhuku hodhi akuza ndaj partive politike të cilat e përdorën këtë rast për arsye politike.

“Konfindustria, duke vlerësuar si parësore sigurinë ushqimore të qytetarëve, shpreh shqetësimin e saj lidhur me mënyrën jo profesionale të përballimit të gjendjes nga ana e institucioneve të fushës në Kosovë, që pa asnjë lajmërim paraprak dhe shkëmbim informacionesh me institucionet e ngjashme në Shqipëri, si edhe për më shumë në mungesë të të dhënave të plota të analizave shkencore të produkteve, zbatuan teorinë e faktit të kryer mediatik. Gjithashtu është tërësisht e papranueshme për forcat partiake në Shqipëri, që të përpiqen të fitojnë kapital politik për zgjedhjet e afërme, duke goditur padrejtësisht kompanitë më të rëndësishme prodhuese vendore me pasoja të rënda në afatgjatë për ekonominë kombëtare”,- tha Buxhuku.

Konfindustria vlerëson se pasojat e konkurrencës dhe mosprofesionalizmit të institucioneve në të dyja vendet janë të rënda për prodhimin vendor, duke i hapur rrugë kështu prodhimit të huaj dhe pengimin e krijimit të tregut të përbashkët mbarëkombëtar.

“Konfindustria vlerëson, se pasojat e luftës konkurrenciale dhe mungesës së profesionalizimit institucional në Shqipëri dhe Kosovë, rrezikojnë të jenë të rënda në dy drejtime kryesore. Së pari goditet prodhimi vendor në Shqipëri dhe Kosovë, duke ndihmuar qartësisht grupet importuese të prodhimeve me origjinë nga BE dhe Serbia, në kushtet e ashpërsimit të luftës ndërkombëtare për tregje, për shkak të krizës financiare si dhe të pasojave të rënda të zbatimit të marrëveshjeve MSA dhe CEFTA. Eshtë për tu shënuar, që ngjarja në fjalë u shënua pikërisht atëherë kur në industrinë e qumështit, me ruajtje afatgjatë në Shqipëri, janë kryer dhe sapo kanë filluar prodhimin investime të rëndësishme me vlerë disa dhjetëra milionë euro, me teknologjinë më bashkëkohore, që garanton siguri ushqimore të standardeve më të mira ndërkombëtare dhe me kapacitete të mëdha përpunuese. Natyrshëm investime të tilla janë në kundërshtim të qartë me interesat e grupeve importuese, që deri pak vite më parë kishin pushtuar në masën 100% tregun shqiptar”,- tha gjatë fjalës së tij kreu i Konfindustrisë.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/