· 47 milion lekë të reja është vlera e peshores, që Kontrolli i Lartë i Shtetit i la detyrë APD ta vërë në punë e që ende nuk është vënë në funksion
· Dogana e Durrësit urdhëron peshimin e kamionëve të kompanisë Kurum në peshoren private në pronësi të koncesionarit gjerman të Terminalit Lindor
· Vetëm pak ditë më parë, ish drejtori i portit Eduard Ndreu, 4 ish-zyrtarë të APD-së dhe 4 zyrtarë të Ministrisë së Transporteve kaluan për ndjekje penale për dëm ekonomik prej 16.9 milion euro
Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 1 qershor 2014– Kontrolli i Lartë i Shtetit pasi ushtroi një kontroll të gjatë dhe shumëplanësh në veprimtarinë e APD Durrës (Autoriteti Portual Durrës) gjeti shumë shkelje duke zbuluar një dëm ekonomik prej 16,9 milion eurosh. Eduard Ndreu, ish drejtor i përgjithshëm i APD-së, 4 vartës të tij dhe 4 punonjës të ministrisë së linjës u çuan për ndjekje penale. Një nga shkeljet specifike të këtyre zotërinjve, që ndiqen penalisht, është edhe mos vënia në funksion e një peshoreje moderne blerë me para publike me vlerë 47 milionë lekë të reja. Kontrolli i Lartë i Shtetit la gjithashtu si detyrë specifike që drejtori aktual i përgjithshëm i APD-së, Seli Belortaja, në bashkëpunim me Drejtorinë e Doganës, Durrës të vënë në punë këtë peshore me term reference 53 PH 2012.
Burokracia portualo-doganore këtë detyrë e ka zbatuar anapulla. Peshoren shtetërore e ka zëvendësuar me peshore private, pak a shumë si skanerat, që prishen në spitalet shtetërore për t’u zëvendësuar nga ato privatë. Firma turke “Kurum Albania”, koncesionare e terminalit të kontejnerëve, në kuadrin e investimeve që ka bërë në Portin e Durrësit ka instaluar një peshore moderne me kapacitet të madh (për kamionë). Deri pak kohë më parë import-eksportet e mallrave rifuxho (gizë, skrap, hekur katangë etj) të firmës Kurum peshoheshin nga kjo peshore. Dogana lokale ka nxjerrë një të ri. Kamionat me të tilla ngarkesa të Kurum-it tashmë nuk lejohen të peshohen nga peshorja e Kurumit , por duhet të peshohen në një tjetër peshore, po private, në pronësi të koncesionarit gjerman të Terminalit Lindor.
I vetmi shpjegim për një të tillë ndërrim peshoreje është që për autoritetet doganore shqiptare koncesionari gjerman është më i besueshëm se koncesionari turk. Siç e kemi shpjeguar në një investigim të mëparshëm z. Heiko Luikenga pronari i “EMS Albanian Port Operator SHPK” në fillim të viteve 90-të ka qenë një nga të pandehurit (në mes të shtetasve polakë, gjemanë dhe amerikanë) në një proces gjyqësor në Gjykatën e Nju Jorkut për trafik ndërkombëtar armësh dhe për futje armësh kontrabandë në territorin e SHBA-ve. I besohet peshores së koncesionarit ish kontrabandist armësh, “peshqesh” i administratës Berisha për Portin e Durrësit dhe nuk i besohet peshores së koncesionarit turk, mëkati maksimal i të cilit është shkelja e rregullave të administrimit të magazinës doganore në Elbasan, që i zbuloi i biri i Dr. Prof. Rexhep Mejdanit, 5 ditë para se të pushohej nga puna në doganë si “shef” antikontrabande.
Nga ky peshim, që i bën koncesionari gjerman kamionëve të koncesionarit turk, shteti duhet të përfitojë 6 (gjashtë) lekë të vjetra për kamion (themi duhet, pasi koncesionari aktualisht nuk i paguan portit përqindjen e tarifës sipas kontratës koncesionare për shumë shërbime duke i konsideruar si shërbime që s’kanë lidhje me operacionet portuale, rasti i ngarkimit të kontejnerëve me minerale etj). Për 1000 kamionë (ekuivalenti i përpunimit, ngarkim-shkarkimit të 10 anijeve me skrap apo gizë për firmën që sjell afërsisht në një vit Kurumi), APD Durrës duhet të “përfitojë” 60 000 lekë të reja, d.m.th. rroga mujore e një punonjësi modest të APD-së.
Vallë për kaq përfitim lihet të kalbet e ndryshket një peshore e blerë me 47 milion lekë të reja para publike? Në këtë kuadër i kujtojmë drejtuesve të doganës dhe portit proverbin anglez “His shipwrecked my land mark”, që përkthehet “Pësimi i tjetrit, mësimi im”.
Përrallat për tolerim e privilegjim të gjithfarë lloj investitorësh gjermanë, sepse na “mërzitet” kancelarja Merkel dhe vë veton anti status për Shqipërinë në qershor, them se janë justifikim për të mbuluar ose padituri flagrante të burokracisë shqiptare ose marrje zarfesh të mbushura plot me “argumenta bindëse”.
Për drejtorët, të cilëve iu është vënë detyrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të zgjidhin problemin e peshores 47 milion lekëshe të lënë pa punë, shpresojmë që ky shkrim t’u shërbejë, njëlloj siç thotë proverbi : I paralajmëruari, gjysëm i shpëtuari.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





