Niveli i lartë i ndotjes në Durrës e largon qytetin nga imazhi që duhet të ketë një zonë turistike

Pastrimi i qytetit është bërë kryefjala e ditës për pjesën më të madhe të qytetarëve durrsakë dhe pushuesve që vijnë të frekuentojnë vijën tonë bregdetare. Imazhi që duhet të ofrojë një zonë turistike duhet të jetë mëse perfekt në drejtim të rregullit dhe pastërtisë. Fundja këto janë dy prej kritereve kryesorë për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Por ajo çfarë konstatohet në shumë rrugë kryesore, ambiente publike apo vijë turistike është një  mungesë e theksuar e pastërtisë. Temperaturat e larta që po vijojnë prej rreth një muaji kanë shtuar mjaft nivelin e pluhurit në rrugë apo në ajër. Këtë vit për herë të parë bashkia e Durrësit dhe ndërmarrjet në varësi të saj nuk po realizojnë larjen e rrugëve me bote me ujë duke ndikuar kështu edhe më shumë në rritjen e nivelit të ndotjes.

Shumë objekte që janë në ndërtim e sipër si dhe rrugët e hapura e të pa mbyllura plotësisht janë një tjetër shkak për sasinë e madhe të pluhurit në ajër. Tërheqja e mbeturinave urbane vetëm një herë në ditë, edhe tani kur popullsia tre apo katërfishohet, është një tjetër faktor që kushtëzon nivelin e papastërsisë në qytet. Ujërat e zeza që shpesh dalin në sipërfaqe në katet përdhese të pallateve shumëkatëshe të ngritura vitet e fundit janë një shqetësim më vete për banorët e lagjes përreth. Shtimi në mënyrë të konsiderueshme i insekteve si miza e mushkonja lidhet drejtpërsëdrejti me shkallën e lartë të ndotjes së qytetit dhe zonës turistike. Në të njëjtën kohë muajt korrik dhe gusht janë periudha kur në rrugët hyrëse dhe dalëse të Durrësit, brenda në qytet apo në zonën turistike rritet ndjeshëm numri i automjeteve që qarkullojnë segmentet rrugore, një faktor më shumë për të rritur nivelin e ndotjes. Vonesat në miratimin e buxhetit dhe fondet e limituara për ndërmarrjet që merren drejtpërdrejt me pastrimin e qytetit ka bërë që niveli i ndotjes në qytet të jetë mjaft i lartë, dhe nuk do të ishte e tepër nëse themi në nivele shqetësuese.

Mjafton një erë e lehtë që vala e pluhurit të ngrihet në ajër për të depërtuar në çdo ambient, ndërkohë që era e rëndë e fekaleve dhe insektet ua “nxijnë jetën” banorëve. Dizinfektimi i ambienteve publike nga ndërmarrja e Shërbimit Komunal nuk është bërë prej vitesh. Ndërsa gjatë viteve të regjimit komunist rrugët, sheshet, lulishtet, parqet dhe vende e tjera shumë të frekuentuara nga qytetarët dhe pushuesit në sezonin e verës dizinfektoheshin rregullisht një gjë e tillë nuk ndodh në vitet e demokracisë. Zona e plazhit dizinfektohet zakonisht një herë në vit, para sezonit veror, ndërsa nuk bëhet fjalë që të ketë dizinfektim në plazhet e tjera si Currila, Kallm apo në Porto Romano e më tutje në Gjirin e Lalzit. Mungesa e dizinfektimit dhe prania në masë të madhe e mbetjeve urbane nëpër rrugë e në plazhe krijon kushtet optimale për rritjen drastike të numrit të insekteve, mushkonjave dhe mizave të cilat kanë pushtuar qytetin bregdetar.

Mungon dizinfektimi

Mushkonjat janë bërë pronaret e ambienteve tona, të shtëpive, rrugëve, të plazheve, shëtitoreve të gjithçkaje që na rrethon. Nëse qyteti  do të dizinfektohej nga ajri, ose po të tërhiqeshin mbeturinat më shumë se një herë në ditë dhe rrugët të laheshin dy herë në ditë situata nuk do të ishte kaq problematike. Përqendrimi i një numri të madh pushuesish në qytetin  e Durrësit domosdoshmërisht shoqërohet me rritjen e ndjeshme të volumit të mbeturinave urbane, që shpeshherë i gjen të derdhen në rrugë pranë kazanëve të plehrave, por dhe në ambiente të tjera shumë pranë qendrave të banuara. Kazanët e plehrave shkarkohen një herë në ditë nga punëtorët e ndërmarrjes së Shërbimit Komunal dhe premisat për praninë e mushkonjave në këto vende janë shumë të madha, ashtu si në të gjithë qytetin.

Minimalisht një herë në vit në pritje të sezonit të verës ambientet publike duhet të dizinfektohen. Mushkonjat për vetë faktin se thithin gjakun nga persona apo kafshë të ndryshme mund të jenë përhapëse të viruseve të ndryshme. Një sëmundje që në vendin tonë kalon nga kafshët te njeriu nëpërmjet mushkonjave është Leshmanoza, e cila kalon nga qentë e infektuar te njerëzit. Nëse nuk kurohet, ajo mund të sjellë pasoja të rënda për organizmin. Në fillim të sezonit turistik dizinfektimi i ambienteve u ngrit edhe nga prefekti i Durrësit, Genci Alizoti, i cili tha se,- “dizinfektimi  duhet të bëhet jo vetëm në zonën e plazhit por edhe në qytet, sepse problem jo pak i vogël është shtimi i insekteve, mizave dhe mushkonjave.  Duhet dizinfektim, mickonjat janë shtuar dhe ato janë problem për të gjithë qytetin, pushuesit që vijnë dhe ata që qëndrojnë në plazh e në Durrës”,-  nënvizoi kreu i prefekturës.  

Mbeturinat  urbane

Banorët e zonave periferike shprehen se tërheqja e plehrave dhe mbetjeve inerte është tejet problematike. Mjafton të shkosh në zonat periferike në ish-Kënetë dhe mjaft qartë shfaqet panorama me kanalet e hapura të  mbushura me plehra. Në mungesë të kazanëve dhe nganjëherë edhe për shkak të papërgjegjshmërisë së banorëve të këtyre zonave ndotja në këto lagje është në nivele të larta. Era e rëndë që përhapet në të gjithë zonën nga dekompozimi në natyrë i mbetjeve urbane bëhet e padurueshme për banorët. Për shkak të nivelit të lartë të ndotjes prania e insekteve të dëmshme viret re në çdo stinë të vitit. Banorët thonë se plehrat qëndrojnë pa u pastruar për një periudhë të gjatë në anë të rrugës”, ndërsa shtojnë se i tremben faktit se mund të marrin ndonjë sëmundje nga qëndrimi i gjatë i mbeturinave urbane në ambiente të hapura. Në rrugët e qytetit vazhdimisht vërejmë jo vetëm kazanët e mbushur me plehra, por shpeshherë gjatë ditës atyre u vihet zjarri.

Ky fakt nuk i ka shqetësuar dhe aq shumë drejtuesit e Bashkisë të cilët kanë përgjegjësi jo vetëm për anën ligjore, por edhe për faktin se plehrat që digjen brenda në qytet çlirojnë lëndë helmuese, mjaft të dëmshme për organizmin e njeriut. Shumë prej kazanëve të mbeturinave janë deformuar për shkak të djegies dhe përdorimit prej një kohe të gjatë. Veç rrezikut që qytetit dhe qytetarëve të tij i shkaktohet nga djegia e plehrave në fushën e depozitimit të mbetjeve në Porto Romano, fenomeni konstatohet çdo ditë në mjaft lagje të Durrësit. Çdo familje që banon në Durrës paguan çdo vit taksën e pastrimit dhe gjelbërimit dhe për pasojë kërkon nga autoritetet lokale që këto para të mbledhura nga taksapaguesit të kthehen në investime që do të reduktonin nivelin e ndotjes në qytet dhe zonat periferike. Problematikat në drejtim të pastrimit dhe gjelbërimit të qytetit janë të mbartura prej vitesh e për këtë arsye qytetarët janë të lodhur dhe të mërzitur me keqmenaxhimin e situatës nga organet përgjegjëse për të garantuar uljen e nivelit të ndotjes në qytetin  bregdetar.


 

Pastrimi i qytetit

Nën administrimin e bashkisë së Durrësit janë tre ndërmarrje shtetërore, aktiviteti i të cilave është i përqendruar në drejtim të pastrimit të qytetit dhe zonës turistike si dhe largimin e mbetjeve urbane. Ndërmarrja e Shërbimit Komunal Durrës dhe Ndërmarrja e Shërbimit Komunal Plazh përgjigjen drejtpërsëdrejti për tërheqjen e mbeturinave urbane dhe atyre inerte si dhe gjelbërimin e qytetit dhe zonës turistike. Të dyja këto ndërmarrje, që mbulojnë të gjithë sipërfaqen urbane të Durrësit, kanë  në organikën e tyre në total 451 të punësuar. Përsa i përket largimit të mbetjeve urbane në drejtim të vendgrumbullimit të tyre në Porto Romano, të dyja ndërmarrjet përdorin një numër të përgjithshëm prej rreth 130 punonjësish. Ndërkohë  ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve ka për detyrë sinjalistikën rrugore dhe mirëmbajtjen e segmenteve të ndryshme dhe rrugëve dytësore. 


 

Mungon sinjalistika

Në sezonin veror rrugët nacionale dhe ato brenda në qytet janë të mbingarkuara nga numri mjaft i madh i automjeteve që qarkullojnë në to. Në këtë situatë, në orare të caktuara është mjaft e vështirë të qarkullosh nëpër qytet apo të gjesh një hapësirë parkimi. Njësia Rajonale e Policisë Rrugore në Durrës, gjatë viteve të fundit, ka studiuar fluksin e atutomjeteve në qytet dhe në periudhën e verës, numri i automjeteve që hyjnë e dalin nga Durrësi arrin nga 40 deri në 50 mijë automjete. Kjo krijon një situatë kaotike në akse të ndryshme rrugore dhe mungesa e sinjalistikës e vështirëson edhe më shumë gjendjen. Sinjalistika rrugore, vertikale dhe horizontale, rregullon lëvizjen qoftë të këmbësorëve, qoftë të automjeteve, shmang aksidentet, përcakton vendet e lejuara ose jo për parkim etj. Në mungesë të saj të dyja palët lëvizin në mënyrë kaotike duke shtuar kështu artificialisht rastet e mundshme për t’u bërë burim aksidentesh. Semaforët gjenden në çdo kryqëzim rrugor, por vetëm semaforët në hyrje të Durrësit janë funksionalë. 

Në të gjitha kryqëzimet e tjera, në plazh dhe qytet, semaforët janë jashtë funksionit. Thuajse në të gjitha rrugët e qytetit mungojnë vijëzimet për ndarjen e korsive, për përcaktimin e hapësirave për parkim, vijat e bardha etj. Kjo gjë e bën të çrregullt qarkullimin e automjeteve dhe kalimtarëve. Këmbësorët kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën pa respektuar vijat e bardha, ndërkohë që edhe automjetet lëvizin si t’u vijë më për mbarë, ndalojnë ku të gjejnë hapësirën e parë të lirë dhe shpesh parkojnë aty ku është e ndaluar. Përgjatë gjithë aksit rrugor Ura e Dajlanit-Iliria nuk ka një hapësirë të veçantë, qoftë edhe përkundrejt pagesës, për të parkuar automjetet. Një hapësirë mungon edhe në Durrës. Ndërkohë mungesa e sinjalistikës vertikale në jo pak raste shkakton kaos në lëvizjen e automjeteve, sidomos në zonën e plazhit, ku përqendrohet numri më i madh i pushuesve, që shpesh nuk dinë si të orientohen.