MEKSIKE– Disa qindra qytetarë në Meksikë kanë vendosur që të mos varen nga policia për të luftuar krimin, duke vendosur të armatosen dhe të shpallen vetë ruajtës të qytetit të tyre.
Jo vetëm kaq, por banorët kanë ngritur disa postoblloqe dhe ditën e shtunë arrestuan e mbajtën të izoluar një të shumëkërkuar për trafik të lëndëve narkotike në qytetin e Guereros, në juglindje të krahinës së Akapulkos.
Trafikanti, më pas iu dorëzua autoriteteve, të cilat e shoqëruan në burg.
Një prej zonave më të prekura nga lufta kundër krimit të organizuar që po ndodh në Meksikë, ajo e Guereros, ka vuajtur në vitet e fundit nga mungesa e vazhdueshme e rendit.
Në këto kushte, të armatosur me shotganë, pistoleta, pushkë dhe të pajisur me maska, qytetarët kanë ngritur postoblloqe dhe kanë nisur të realizojnë operacione të ndryshme arrestimi, duke shndërruar në pak ditë qytezën e tyre në një prej “oazeve” të pakta të sigurta në Meksikë.
Aktualisht, vendi i Amerikës Veriore është i përfshirë në një betejë të përgjakshme midis karteleve të fuqishme të drogës, të vendosura përballë ushtrisë, policisë dhe forcave speciale.
Meksika i deklaroi luftë narkotikëve në vitin 2006 dhe që prej atëherë, mbi 60 mijë meksikanë, shumë prej të cilëve civilë, kanë humbur jetën në luftime.