Qendra e Durrësit është shndërruar këtë dhjetor në një hapësirë shumëngjyrëshe nga dekori festiv.

Elementët e rinj të dekorit kanë krijuar në shesh një atmosferë shumë më festive sesa vitet e kaluara, gjë që nuk kishte sesi mos të vihej re nga qytetarët.

Gjallëria që ka pushtuar sheshin në këtë periudhë në prag të festave të fundvitit transmetohet edhe tek vizitorët apo turistët.

“Bukur, shumë i ndriçuar dhe kalohet bukur këtu. Nuk e prisja të ishte kështu. Mendoja se do ta gjeja Durrësin më të çorganizuar, por është krejt ndryshe.”- thotë një turist italian për “DurrësLajm”.

Karroca e babagjyshit të Vitit të Ri me drerët, këmbora, apo zambakët plot drita janë ndër elementët e dekorit që tërheqin më shumë vëmendjen dhe ku qytetarët ndalen për të shkrepur foto-kujtimet e tyre.

E ndërsa ditët kalojnë, viti 2025 po e mbyll ciklin e tij për t’i lënë radhën vitit 2026.

E sigurt është që viti i ri do ta gjejë një pjesë të konsiderueshme të qytetit më të ndriçuar nga çdo vit.

M.B.