Prej 22 Qershorit kohë kur u hapën të dy senset e rrugës në nënkalimin e ndërtuar tek sheshi Veliera, punimet janë ndërprerë në sheshin qendror të Durrësit. Qytetaret e Durresit apelojnë t’i gjendet nje zgjidhje projektit të bllokuar. Por edhe për zgjidhjen qytetarët mbajnë dy qëndrime diametralisht të kundërta. Një pjese kërkojnë të rikthehet zona siç ishte, ndersa pjesa tjetër kërkon që projekti të përfundojë.
Punëtorët e firmës zbatuese janë larguar prej andej, ndërsa nuk ka ende një vendim nga Gjykata Administrative apo Gjykata e Apelit për zhbllokimin e punimeve.
Kushdo që kalon në këtë rrugë shumë të frekuentuar përballet me një shesh të hapur dhe një kullë betoni të shëmtuar për sytë e njerëzve dhe turistëve.
DurrësLajm u interesua në bashki për këtë çështje dhe mësoi se ende nuk ka dalë raporti i Agjensisë Kombëtare të Arkeologjisë, raport nga i cili varet e ardhmja e punimeve në këtë shesh.
Pak ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit u bë i mundur hapja e nënkalimit në të dy senset duke zhbllokuar trafikun e rënduar në këtë shesh, i cili është urë lidhëse e shëtitores Taulantia me qendrën e qytetit dhe me autostradën.
Më herët Gjykata e Apelit në Durrës, njësoj si Gjykata e Rrethit e ajo Administrative, ka vendosur ndalimin e punimeve në zonën arkeologjike A të sheshit Veliera. Por pavarësisht vendimeve të njëpasnjëshme, punimet në pjesën më të madhe të sheshit janë mbyllur. Pjesa më e madhe e punimeve nëntokë ka përfunduar, po ashtu në pjesën përpara hyrjes së portit.
K.H.





