8 nëntor 2015 – Qytetarët e Durrësit, e jo vetëm, të shumtë në numër, që populluan bregdetin ditën e diel, i dërguan një apel të fortë strukturave të shtetit. Era e rëndë e hidrokarbureve ishte ende e pranishme në të gjithë vijën bregdetare, 24 orë pasi deri nxori një masë të madhe të zezë si pelte në breg.
Pastrimi nisi nga punonjësit e shtetit gjatë orëve të mbrëmjes e gjatë gjithë ditës së sotme, por pastrimi me mjete rrethanore dhe pa ndërhyrje të mirëfillta, ka bërë që njollat e zeza të jenë të pranishme mbi rërë, pavarësisht se është larguar masa e zezë si pelte nga bregu. Edhe deti vijon të sjellë një masë të zezë, më pak se 24 orë më parë.
Qytetarët akuzojnë strukturat e shtetit, për dështim në marrjen e masave konkrete, dhe bëjnë apel për gjetjen e shkatërruesve. Ndërsa drejtori i Komunales së Plazhit thotë që punonjësit kanë bërë maksimumin për pastrimin e bregut të detit.
“Vjen era naftë, që dje kur u përhap era. Sot kanë mbetur gjurmët e naftës dhe era në plazh. Pavarësisht se e kanë pastruar, e tërhoqi deti në thellësi”, thotë një banore e plazhit.
“Sot është më i pastruar, por dje ishte për të qarë. Më duket sikur kanë përdhunuar bregun. Kush janë këta njerëz që i kanë lëshuar në bregun tonë? Kush janë ata që paguhen për ta ndaluar këtë punë? Ku janë, që nuk janë këtu?
Mirë që ndodhi, por të merren masa që të izolohet e të pastrohet, sepse është dëmi edhe në florë e në faunë. Të merren masa se nuk mjafton një kamion që mbledh plehrat. Të vijnë traktorë si në Amerikë për disa ditë metra dhe që të pastrohet kjo që ndodhi”, shprehet një tjetër banor i plazhit.
/K.H. portali DurresLajm/