Pas miratimit të listës paraprake të personave që përfitojnë dëmshpërblimin për riparimin e banesave të tyre me dëmtime në nivelin DS1, DS2 dhe DS3, shumë qytetarë kanë nisur të shtrojnë pyetjen se cila është procedura që duhet të ndjekin për të përfituar grantin.

Nënkryetari i bashkisë, Florian Tahiri sqaron se miratimi i listës është hapi i parë deri në kalimin e vlerës së dëmshpërblimit në llogaritë bankare të qytetarëve.

“Listën e miratuar në Këshill Bashkiak, së bashku me vlerat përkatëse të dëmshpërblimit ia dërgojmë Ministrisë së Rindërtimit. Në momentin që vjen konfirmimi nga dikasteri në fjalë përsa i përket fondit për banesat me dëmtime DS1, DS2 dhe DS3, drejtoria jonë e Rindërtimit që po merret me përpunimin e dosjeve dhe verifikimet me Kadastrën do të kontaktojë qytetarët. Secili qytetar do të lidhë me bashkinë kontratën respektive dhe vetëm më pas vijohet me procedurën për kalimin e vlerës së dëmshpërblimit në llogarinë bankare”,- deklaron nënkryetari Tahiri.

Shumë qytetarë shpresojnë ende se grupe vlerësimi do të shkojnë të shohin nga afër dëmet në banesat e tyre, por nga bashkia konfirmojnë se kjo procedurë nuk do të bëhet. Qytetarët do të përfitojnë vlerën maksimale të dëmshpërblimit të vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave përkatësisht:

  • për banesa me dëme DS1 – 100.000 lekë;
  • për banesa me dëme DS2 – 250.000 lekë;
  • për banesa me dëme DS3 – 500.000 lekë.

Ndërkohë ka ende paqartësi lidhur me procedurën që do të ndiqet për riparimin apo rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta në pallatet me dëme nga DS1 deri në DS3. Për këto punime do të ketë një fond të veçantë që do të akordohet nga Ministria e Rindërtimit në bazë të akt-konstatimeve të bëra për secilin pallat të dëmtuar. Gjithashtu nuk dihet ende se nga kush do të menaxhohet ky fond, nga cilat kompani do të realizohet projekti dhe punimet përkatëse, ashtu siç nuk ka edhe një datë se kur do të nisë ky proces.

6 muaj nga tërmeti ka ende shumë paqartësi në Durrës për procesin e Rindërtimit, ndërkohë që qytetarët kanë nisur të humbin durimin sepse i tremben faktit se zvarritja e këtyre procedurave mund të bëhet shkak që rikthimi i tyre në shtëpi të zgjatet edhe më shumë në kohë.

Ndërsa gjërat duket sikur kanë nisur të lëvizin për pallatet me dëme DS1, DS2 dhe DS3, kritike mbetet situata për pallatet me dëme DS4 dhe DS5. Bashkia e Durrësit është ende në pritje të akt-ekspertizave nga Instituti i Ndërtimit, që deri tani ka dërguar rreth 50 të tilla, ndërkohë që në total janë 260 pallate për të cilët është kërkuar opinioni i Institutit nëse ekziston mundësia e riparimit të tyre, apo do të vendoset për shembjen.  

M.B.