Kreu i Këshillit Bashkiak Durrës, Ani Dyrmishi dhe kreu i Policisë Bashkiake Vasip Çopa kanë qenë sot në tregun agro-ushqimor për t’i kërkuar qytetarëve të respektojnë distancat dhe të tregojnë kujdes.

Siç duket nga fotot dhe pamjet filmike që po publikon DurrësLajm, Dyrmishi dhe Çopa u janë drejtuar qytetarëve dhe shitësve që për asnjë moment të mos harrojnë apelin e bërë nga autoritetet shëndetësore, sepse vetëm kështu mund të parandalojnë prekjen nga koronavirusi.

Më herët gjatë ditës, DurrësLajm publikoi foto nga zona të ndryshme të qytetit bregdetar, ku vihej re prani e shtuar e qytetarëve, që nxitonin të bënin blerjet e nevojshme para hyrjes në fuqi të shtetrrethimit, në orën 13.00. Në shumicën e rasteve, qytetarët qëndronin pranë njeri-tjetrit, megjithëse rekomandohet qëndrimi 1.5 metra larg.

I gjithë vendi do të jetë i mbyllur për 40 orë, ndërkohë që në vend janë regjistruar deri tani 197 të prekur nga koronavirusi, ndërsa 10 persona kanë humbur jetën.