Me dhjetëra banorë të Durrësit janë dyndur mëngjesin e sotëm në bashki për të bërë ankimimin pasi nuk janë përfshirë në listën e parë të personave që do të përfitojnë grantin e Rindërtimit të banesave.

Në listën e skualifikimeve janë përfshirë rreth 2500 qytetarë për arsye nga më të ndryshmet. Të irrituar nga skualifikimi, qytetarët janë dyndur sa në bashki dhe sa në njësi administrative për të marrë sqarime lidhur me atë se çfarë duhet të bëjnë tani për të përfituar grantin për banesën e dëmtuar nga tërmeti.

“Më kanë skualifikuar, pasi më kanë konsideruar shtetas të huaj. Unë jam shtetas kosovar. Nuk e kuptoj pse duhet të përjashtohem”,- thotë një shtetas për “DurrësLajm”.

Ndërkohë një qytetare tjetër shprehet se që në mëngjes është sorrollatur sa në njësinë administrative dhe sa në bashki për të mësuar arsyen e skualifikimit dhe tani i duhet të presë në radhë.

“Nuk e di pse më kanë skualifikuar. Shkova tek njësia administrative, më thanë shko në bashki. Tani jam këtu, por kushedi kur më vjen radha. Unë kam banesë të dëmtuar nga tërmeti, pse duhet të më heqin nga lista”,– thotë ajo.

Shumë të tjerë janë skualifikuar, pasi sipas pushtetit vendor kanë pasuri tjetër. Por qytetarët pretendojnë se zotërojnë vetëm atë shtëpi, që ia ka dëmtuar nga tërmeti dhe ndaj tyre po bëhet padrejtësi.

Ndërkohë, ajo që vihej re që në orët e para të mëngjesit në bashkinë e Durrësit ishte radha e gjatë e qytetarëve që nuk respektonin distancimin fizik. Pavarësisht se në zyrën e informacionit hyrja bëhej me radhë, në shkallët para bashkisë qytetarët rrinin ngjitur me njëri-tjetrin.

Ditën e premte, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi listën e parë me 6257 qytetarë që do të përfitojnë grantin e Rindërtimit. Ndërkohë, qytetarëve të përjashtuar u është lënë afat 7 ditor për të bërë ankimimin, në të kundërt skualifikohen përfundimisht.

M.B.