Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha sot se qytetarët shqiptarë e ndjejnë edhe në shqetësimet e tyre që nuk gjejnë pasqyrim në mediat kryesore kombëtare.

Në një intervistë në emisionin “A Show” në SYRI TV, Bardhi gjithashtu u përqendrua në vlerësimin e protestës së fundit të opozitës, duke theksuar se qytetarët e ftuar për të reaguar treguan rezistencë të fuqishme përballë sjelljes disproporcionale të policisë.

Sipas Bardhit, marshimi drejt Tiranës nuk ishte një protestë e zakonshme kombëtare, por një ftesë për qytetarët që të shprehnin pakënaqësitë e tyre.

Ai vlerësoi pjesëmarrjen dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve, duke theksuar se kjo protestë ishte një sukses, pasi tregoi se ka qytetarë që nuk janë të gatshëm të pranojnë dhunën dhe arbitraritetin e qeverisë së Edi Ramës.

Pjesë nga fjala e Bardhit:

Qytetarët shqiptarë e ndjejnë edhe në shqetësimet e tyre që nuk gjejnë pasqyrim në mediat kryesore kombëtare. Për fat të keq, përfshirë dhe televizionet kombëtare, këto media janë përfshirë prej vitesh tashmë, por veçanërisht në periudhën e fundit, në një fushatë dezinformimi dhe përdorimi nga qeveria, për të shpërndarë në mënyrë mediatike propagandën e Edi Ramës. Kjo dëmton interesin publik, dëmton të vërtetën dhe, sigurisht, përcjell imazhin apo informacionin e gabuar tek qytetarët. Besoj e keni parë këtë edhe me protestën e fundit, ku u sajuan histori nga më të ndryshmet, të shpërndara nga zyra e propagandës së Edi Ramës dhe të pasqyruara si ngjarje të vërteta në pjesën dërrmuese të mediave në vend.

Unë gjykoj se ajo që ne kishim shpallur, marshimi drejt Tiranës, nuk ishte një protestë kombëtare, pra qytetarët ishin ftuar për të reaguar, ndryshe nga protestat që jemi mësuar të shohim të organizuara nga Partia Demokratike, ku qytetarët marrin pjesë dhe, me pjesëmarrjen e tyre, shprehin pakënaqësitë. Në këtë rast, ne publikisht kishim shpjeguar se çfarë do të ndodhte atë ditë dhe se çfarë qytetarët ishin ftuar të reagonin atë ditë në Tiranë. Në këtë kuptim, qoftë pjesëmarrja masive e qytetarëve, qoftë rezistenca e tyre përballë sjelljes disproporcionale të policisë, tregoi që po, në këtë vend ka qytetarë që nuk janë të gatshëm as ta falin lirinë, as t’i nënshtrohen dhunës dhe arbitraritetit të një shteti personal që ka ndërtuar Edi Rama.

Ata janë aty për të reaguar sa herë Shqipëria ka nevojë për ta, dhe në këndvështrimin tim, ky ishte një sukses i asaj që ndodhi dje. Qytetarët reaguan dhe iu përgjigjën ftesës së Partisë Demokratike. Nuk ka pasur asnjë reagim publik nga asnjë prej ambasadave të vendeve mike që janë në Shqipëri. Edi Rama i ka vënë duart në fyt çdo kujt që ka vendosur të jetojë në këtë vend, dhe fakti që qytetarët marrin guximin për t’ia hequr me forcë duart nga fyti, që është ky reagim, që mund të ishte dhe më i ashpër, nuk nënkupton se është dhunë.