Zyra e Regjistrimit të Pasurisë në Durrës, apo Hipoteka siç e quajnë qytetarët mbetet institucioni i halleve e problemeve të mëdha për të gjithë qytetarët që i drejtohen këtij institucioni. Më datë 27 janar, nga puna janë larguar 7 punonjës e më pas njëri prej tyre është rikthyer sërish me vendim të kryeregjistruesit të Shqipërisë, me motivin se janë shkelur afatet e dhënies së përgjigjeve të qytetarëve.
Por çfarë ndodh realisht në këtë institucion?
Janë të shumtë qytetarët që i drejtohen ZRPP-së për informacion, e për aplikime të ndryshme. Prej mëngjesit, këtu dynden qytetarë nga i gjithë rrethi i Durrësit, prej fshatrave e çdo lagjeje të qytetit. Në zyrën e informacionit është vetëm një punonjës për të gjithë qytetarët që presin. Së paku në sportel duhet të ishin tre sportelistë, për të përballuar fluksin e ankesave të qytetarëve.
Qytetarët flasin:
“Unë kam ardhur mbi 20 herë për të nxjerrë hipotekën. E kam paguar dy herë tarifën që është 60 mijë lekë. Shtëpia është e hipotekuar, por certifikatën e pronësisë nuk ma japin se duan lekë. Dhe unë lekë për t’u dhënë nuk kam!”
“Kam dy vjet e së paku kam ardhur 50 herë në Hipotekë. Më kanë hequr 4 metra nga sipërfaqja e shtëpisë. I kam bërë letrat me noter e me specialist. Por ja ku jam prapë, pa certifikatë pronësie.”
“Kam marrë me vendim qeverie 3 dynym tokë në Katund të Ri, që në vitin 1993. Tokën e kam të njohur nga të gjithë institucionet, por këtu në Hipotekë nuk bëhet fjalë të hipotekohet. Këta duan para për të bërë punë. Kam kaq vjet që më sorollatin, apliko çdo muaj e çdo vit, dhe asnjë gjë nuk kanë bërë.”
K.H.





