Drejtoria e Policisë Rrugore nisur nga fluksi shumë i madh i lëvizjes së automjeteve nga zonat bregdetare drejt Tiranës dhe Morinës, ka rritur prezencën e shërbimeve në akset rrugore nacionale dhe në ato hyrëse në qendrat urbane.
Policia Rrugore njofton se, njëkohësisht, po monitorohen me dronë akset nacionale për të parandaluar parakalimet e gabuara që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore dhe për bllokim të lëvizjes së lirë të automjeteve.
Për shkak të fluksit të madh, ka ngadalësim të lëvizjes në akset rrugore Shëngjin-Lezhë-Milot, Gjiri i Lalëzit-Vorë, Rrogozhinë-Bradashesh, dhe Librazhd-Bradashesh, por në asnjë moment nuk ka bllokim të lëvizjes. Fluks të shtuar ka dhe në rrugët interurbane Durrës-Tiranë dhe Elbasan-Tiranë.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e automjeteve të qëndrojnë në radhë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të respektojnë shpejtësinë në akset që nuk ka fluks të shtuar si dhe të përdorin rrugë alternative.
Shërbimet e Policisë Rrugore po përdorin të gjitha mjetet logjistike për të monitoruar qarkullimin, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe eliminimin e vonesave apo bllokimeve për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.