Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten është diskutuar për Kosovën me kërkesën e Serbisë pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Diskutimi është transmetuar drejtpërdrejt, ndërkohë që Kosovën e ka përfaqësuar kryeministri Albin Kurti e Serbinë presidenti i saj.

Megjithatë, në Serbi transmetimi nuk ka vazhduar drejtpërdrejt edhe kur fjalën e ka marrë kryeministri Kurti. Në televizionin shtetëror të Serbisë transmetimi është ndërprerë sapo fjalën është dashur ta marrë Kurti.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit, Klisman Kadiu, ka reaguar lidhur me këtë. Ai ka thënë se Aleksandër Vuçiç është në panik e frikë të madhe përballë Republikës së Kosovës. Ndërsa, situatën me transmetimin e ka përshkruar si censurë.

“Në Serbi, e kanë ndalur transmetimin atëherë kur ka nisur fjalën kryeministri Kurti. Kaq për lirinë e mediave e të informimit në Serbi. Censurë. Për të ardhur keq që serbët atje nuk kanë mundësi të dëgjojnë mbi realitetin e të vërtetat”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti e ka kualifikuar gënjeshtër çdo pretendim të presidentit të Serbisë të shprehur në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se nëpërmjet vendimit të fundit të BQK-së që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa, Kosova është duke kryer spastrim të serbëve.

Në fjalimin e mbajtur para KS të OKB-së Kurti ka theksuar se pretendimet përbëjnë propagandë të rrejshme dhe nxitje të tensioneve.