Sa më shumë kalojnë orët dhe ditët, aq më shumë shtohen përmasat e situatës mjaft kritike që po kalon qyteti i Durrësit që nga tërmeti i 26 nëntorit.
Janë kaq shumë denoncimet e qytetarëve nga lagje të ndryshme të Durrësit, të cilët, të mbetur pa shtëpi dhe në mes të 4 rrugëve, nuk dinë ku të përplasen.
Një banor i lagjes nr.8 në Durrës, tek një pallat ngjitur me drejtorinë e policisë, thotë për DurrësLajm se janë 30 familje që kanë mbetur në qiell të hapur dhe nuk dinë çfarë do ndodhë me ta.
“Jam një banor i lagjes 8, pallati ngjitur me drejtorine e policisë. Jemi 30 familje në qiell të hapur. Ju lutem na ndihmoni. Pallatit i është vënë shiriti dhe nuk dimë të ngjitemi apo jo të heqim ato plaçka që kemi aty. Kemi frikë mos na zë brenda. Nuk duket njeri fare. Kemi shkuar në bashki dhe komunë. Jam me tre fëmijë në katin e 10-të të pallatit. Nuk di ç’të bëj. Do fillojë shkolla, duhen librat e të gjitha më radhë, pastaj një banesë”,- thotë qytetari, ndërsa eshte mjaft i shqetesuar per te ardhmen e familjes se tij.





