Një banor i zonës së Shkozetit në Durrës ka denoncuar në polici Bashkinë Durrës, pasi sipas tij po realizon në pronën e tij një investim publik.
Në njoftimin për shtyp të policisë nënvizohet se “shtetasi A.M, vjeç 63, banues në Durrës, kallëzon se në lagjen Nr. 14, në pronën e tij, nga Njësia Administrative Nr. 5, po kryhen punime me leje, investime publike, të Bashkisë Durrës”.
Pas denoncimit të qytetarit, policia e ka përcjellë çështjen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për vlerësim.
Ndërkohë, pas interesimit të DurrësLajm pranë bashkisë Durrës lidhur me çështjen në fjalë, institucioni i pushtetit vendor bën të ditur se bëhet fjalë për një rikonstruksion rruge, pranë Gjykatës së Apelit. Sipas të njëjtit burim, bëhet fjalë për një rrugë ekzistuese, e cila po asfaltohet dhe po pajiset me sistemin e kanalizimeve.
Një grup pune do të shkojë nesër për t’u njohur nga afër me shqetësimin e ngritur nga qytetari dhe pretendimet e tij.





