Vrasja e gjyqtarit Kalaja shtyu Dhomën Kombëtare të Avokatisë të shpallte një bojkot në datat 9 dhe 10, tetor, vendim ky që është zbatuar edhe nga Dhoma vendore e Avokatisë Durrës.

Kreu i saj Lorval Petani pranon se dhe avokatët ndihen të kërcënuar, nisur edhe nga precedentët e mëparshëm në Gjykatën e Durrësit.

“Ka pasur raste që ka ndodhur dhe në Gjykatën e Durrësit, edhe në ambientet e gjykatës, edhe jashtë saj. Janë goditur e dhunuar avokatët. Dhoma Kombëtare e Avokatisë i ka ngritur këto problematika edhe përmes shkresave të ndryshme. Ia kemi referuar këto probleme edhe Ministrisë së Drejtësisë, edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ndihemi të kërcënuar në këtë situatë, sepse u hap një precedent”.

Sipas Petanit, siguria e togave të zeza, prokurorëve dhe avokatëve nuk mund të lihet në dorën e një punonjësi të administratës së gjykatës.

“Nuk mund t’i bjerë barra në gjithë këtë situatë një punonjësi të administratës së gjykatës, i cili rrin tek dera dhe bën pritjet dhe përcjelljet e njerëzve”.

Mllefin popullor në rrjete sociale, që pasoi vrasjen e gjyqtarit Kalaja, Petani e lidh me zvarritjen shumë vjeçare të gjyqeve dhe drejtësinë e munguar për qytetarët.

“Po ju tregoj një rast që e kam ndjekur personalisht. Kemi nisur një gjyq për zgjidhjen e marrëdhënies së punës. E fitoi në shkallë të pare, por po bën vite në Apel. Qytetari ndërroi jetë dhe nuk arriti të merrte vendimin. Edhe pas kërkesave të shumta, pasi kishte një sëmundje të rëndë tumorale, edhe pasi i çuam diagnozën gjykatës që të përshpejtonte seancën gjyqësore, nuk u mundësua kjo gjë dhe qytetari nuk arriti të merrte vendimin”.

Ditën e premte, në gjykatën e shkallës së parë Durrës nuk do të zhvillohen 32 seancat e planifikuara për shkak të bojkotot kombëtar të Dhomës së Avokatisë.

M.B.