Përfaqësimi i qytetarisë durrsake ka qenë më i lartë në fillimet e demokracisë, ku familjet më të njohura durrsake kishin përfaqësues në pushtet dhe jetën kulturore dhe sociale të qytetit të Durrësit. Mendoj se një nga arsyet që PD-ja ka humbur Bashkinë e Durrësit është dhe fakti se duhej bërë më shumë për ish të përndjekurit, për ish-pronarët, për qytetarinë durrsake

“Azem Hajdari na sqaronte plot pasion dhe guxim. Edhe kur vërshuam rrugëve të qytetit të Durrësit Azem Hajdari qëndronte vetë në ballë rreth 30 m para nesh dhe nuk na linte të rrezikoheshim. Ishte ai që udhëhiqte dhe rrezikonte i pari. Më pas nisën të intensifikohen lëvizjet në ndërmarrjet e qytetit dhe lagje me njerëzit e besuar, derisa u kurorëzua gjithçka me rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha. Më kujtohen si sot ato momente kur busti i Enver Hoxhës i vendosur në portin e Durrësit nuk po binte. Dukej sikur diktatori donte të qëndronte akoma në këmbë. Të gjithë njerëzit rrinin të heshtur, deri në momentin kur busti nisi të anohet dhe të bjerë. Në ato momente njerëzit sikur u liruan dhe nisën të brohorasin me shpirt“,- kështu do ta kujtonte një nga pjesëmarrësit e tyre ditëve momentin e rëndësishëm historik, kur busti i Enver Hoxhës do të rrëzohej në Durrës nga demokratët e parë. Duke u ndalur në disa nga ngjarjet historike dhe njerëzit protagonistë të atyre ditëve Selami Dakoli, ish-nënkryetari i bashkisë së Durrësit, risjell në kujtesën popullore mbresat dhe përjetimet nga ato histori të jetuara me mjaft intensitet.

Si i keni përjetuar fillimet e para të demokracisë në Durrës?

Aktivitetin e kam nisur në ndërmarrjen Sera ku punoja. I deleguar ishte Artan Hoxha i cili na dha orientimet se çfarë duhej të bënim. Në fillim organizimin e nisëm me pesë veta, më pas e rritëm numrin e simpatizantëve dhe nisëm të zgjeroheshim dhe në ndërmarrje të tjera. Më kujtohet kur së bashku me një inxhinier tjetër shkuam në ndërmarrjen e plastikës, ku u takuam me inxhinier Cërloin duke krijuar dhe në këtë ndërmarrje të rëndësishme bërthamën antikomuniste.

Kujtoj se entuziazmi, vendosmëria dhe idealizmi ishin në shkallën më të lartë. Duke ju rikthyer ngjarjeve kryesore të asaj periudhe dhe protagonistëve mund të them se pas takimeve në grupe dhe krijimit të grupeve demokrate në ndërmarrje nën hundën e sigurimit të shtetit, mora një ftesë nga i ndjeri Azem Hajdari për aktivitetin e parë që do bëhej në Durrës.

Bëhej fjalë pikërisht për mitingun e parë që do të bëhej në sheshin përballë stadiumit “Niko Dovana“ të qytetit. Më kujtohet që përdorëm karrocerinë e një zetori, si një tribunë për t‘u folur njerëzve. Ishte një ditë e ftohtë dimri, por entuziazmi ishte i jashtëzakonshëm. Kishim arritur që t´i mblidhnim njerëzit, duke i njoftuar sipas njohjeve që kishim.

Nuk ishte e lehtë pasi sigurimi i shtetit ishte në këmbë dhe frika ekzistonte akoma. Më kujtohen në atë miting Aleksandër Meksi, Shyqyri Cara që ishte shumë organizativ dhe deputetët që ishin në mandatin e parë etj. Në atë miting u fol për demokracinë, për sistemin e ardhshëm politik dhe për gjëra të tjera që njerëzit kishin ëndje t‘i dëgjonin.

Në atë miting u hodhën edhe parulla antikomuniste, por akoma me frikën e sigurimit të shtetit që ishte ende nëpër këmbë. Më pas pati dhe mitingje të tjera të pjesshme në qytet.

Cilat kanë qenë raportet që keni pasur me Azem Hajdarin dhe Pjetër Arbnorin?

Me Azem Hajdarin jam takuar me ndërmjetësinë e Artan Hoxhës, pasi çdo organizim që bëhej orientohej nga qendra në Tiranë. Ishte një takim që Azem Hajdari zhvilloi me intelektualët, mes të cilëve isha dhe unë. E kam dhe sot ftesën që kisha për atë takim. Azem Hajdari ishte një njeri me vitalitet të lartë. Mënyra se si fliste, të bënte për vete.

Ne kërkonim informacion për programin, pasi në atë kohë nuk kishim njohuritë dhe informacionin e duhur. Azem Hajdari na sqaronte plot pasion dhe guxim. Edhe kur vërshuam rrugëve të qytetit të Durrësit Azem Hajdari qëndronte vetë në ballë rreth 30 m para nesh dhe nuk na linte të rrezikoheshim. Ishte ai që udhëhiqte dhe rrezikonte i pari. Më pas nisën të intensifikohen lëvizjet në ndërmarrjet e qytetit dhe lagje me njerëzit e besuar, derisa u kurorëzua gjithçka me rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha.

Më kujtohen si sot ato momente kur busti i Enver Hoxhës i vendosur në portin e Durrësit nuk po binte. Dukej sikur diktatori donte të qëndronte akoma në këmbë. Të gjithë njerëzit rrinin të heshtur deri në momentin kur busti nisi të anohet dhe të bjerë. Në ato momente njerëzit sikur u liruan dhe nisën të brohorasin me shpirt.

Ndër njerëzit që më kujtohen në ato momente ishin Festim Hoxha, i ndjeri Ilir Qoshja dhe disa shokë të tjerë. Pasi e rrëzuam bustin e diktatorit e tërhoqëm zvarrë në rrugët e qytetit, deri te posta. Atje ishte një pallat në ndërtim e sipër. Njerëzit shfrytëzuan vinçin që ndodhej atje duke e varur bustin e diktatorit. Busti mbeti i varur duke u lëkundur si njeri deri në orët e vona të natës.

Në mëngjes nuk ishte më, pasi na thanë se e kishin hequr njerëzit e sigurimit të shtetit. Më kujtohen gjithashtu marrëdhëniet me Pjetër Arbnorin. Në çdo aktivitet që bëhej nga Parlamenti apo jashtë tij isha i ftuar personalisht nga i ndjeri, me të cilin kishim marrëdhënie të afërta pasi vëllai i madh Ahmeti ka pas punuar me Pjetrin, në kohën kur ishte në fermën e Durrësit. Pjetri ishte një njeri i qetë, i butë dhe shumë i komunikueshëm.

Cila ka qenë problematika e Durrësit gjatë 11 viteve që keni qenë nënkryetar bashkie?

Unë kam qenë në komisionin e parë që u formua për votimet e para pluraliste 1990. Në atë kohë më emëruan kryetar të këshillit të lagjes të pushtetit pluralist që kishte anëtarë të PD-së, PR-së dhe PS-së.

Më pas PD-ja do më propozonte për nënkryetar bashkie, ku kam qëndruar nga vitet 1992 deri në vitin 2003 për 11 vjet në këtë funksion. Në atë periudhë, veçanërisht në vitet e para, qyteti kishte shumë probleme si p.sh. punësimi, varfëria, ndriçimi, kanalizimet, ujësjellësit që nuk funksiononin plotësisht. Më kujtohet se kemi punuar më shumë pasion dhe ndershmëri.

Marrëdhëniet me opozitën në atë periudhë kanë qenë të ashpra, pasi opozita pothuaj nuk ishte e qytetit të Durrësit. Më pas pluralizmi edukoi bashkëjetesën. Unë dhe aktualisht shikoj se opozita nuk është objektive, pasi nuk vlerëson arritjet që janë bërë.

Cila është origjina e familjes Dakoli?

Unë vij nga një familje që ka mbi 200 vjet që është në qytetin e Durrësit. Jemi një familje tregtare, ku të parët tanë, si thonë më të vjetrit, kanë qenë për shtëpi, dyqan dhe xhami. Nuk jemi marrë me politikë, por nga sistemi e pësuam vetëm se ishim tregtarë. Në moshën dy vjeç e gjysëm na kanë nxjerrë nga shtëpia, për të na çuar në internim.

U strehuam te një njeriu ynë i afërt dhe kemi qëndruar 5 vetë në një dhomë deri në vitin 1964. Babai ynë vdiq në burg pa gjyq nga sistemi komunist, pasi e torturonin për t´i marrë florinjtë. Ne të gjithë si familje jemi përfshirë në lëvizjen demokratike. Vëllai im Eqerem Dakoli qëndroi për një periudhë të gjatë sekretar i PD-së të degës së Durrësit.

Si e shpjegoni faktin që një pjesë e njerëzve që kanë kontribuar në vitet e para të demokracisë janë mënjanuar?

Një pjesë e njerëzve që kontribuan në atë periudhë për arsye moshe apo arsye të tjera janë larguar, por e mira do të ishte që të mos mënjanoheshin. Mirënjohja është një gjë që ne durrsakët e vlerësojmë shumë.

Sa mendoni se është bërë për ish të përndjekurit dhe ish-pronarët?

Duhet bërë më shumë për ish të përndjekurit politikë. Do ju jap një shembull nga familja ime. Babai ka qenë në burg politik dhe e mbytën pa gjygj për t´i gjetur florinjtë. Për mungesë dokumentash të asaj periudhe nuk njihet si i dënuar politik. Nuk është vetëm rasti im, por edhe i Gani Kalasë etj, që duhen parë pasi duhet vënë drejtësia në vend.

Në fakt dhe ish-ministri i drejtësisë Alibej na pati thënë se ka mangësi në dokumentacion, pasi mungon dënimi i babait. Natyrisht që ka pasur probleme dhe me pronat dhe pronarët, pasi ato u vunë njera sipër tjetrës. Gjithsesi unë si person jam i lumtur pasi jetuam një jetë në diktaturë, tashmë kemi lirinë që ne të përndjekurit e dimë se çdo të thotë.

Përfaqësimi i qytetarisë durrsake ka qenë më i lartë në fillimet e demokracisë, ku familjet më të njohura durrsake kishin përfaqësues në pushtet dhe jetën kulturore dhe sociale të qytetit të Durrësit. Mendoj se një nga arsyet që PD-ja ka humbur Bashkinë e Durrësit është dhe fakti se duhej bërë më shumë për ish të përndjekurit, për ish-pronarët, për qytetarinë durrsake.Qytetaria durrsake ishte baza dhe është garancia e demokracisë. Ja si nisi përmbysja e komunizmit në Durrës me Azem Hajdarin.

Me se merret aktualisht Selami Dakoli?

Kam pasur dhe kam pasion letërsinë dhe gjeografinë. Çdo ditë lexoj mesatarisht 3-4 orë dhe natyrisht e kaloj kohën me shoqëri me biseda jashtë politikës. Më pëlqejnë shumë fjalët e urta, thëniet e mençura. Kam botuar një libër “Në gjurmë të urtësisë“ me thënie të autorëve të huaj. I kam kërkuar kudo këto thënie që më kanë pëlqyer dhe më pas i hodha në libër në mënyrë që atyre që ju pëlqejnë të mësojnë prej tyre.