Nga Skënder S. Kapiti
9 tetor 2015 – Shtysa për të shkruar këtë shkrim më vjen nga kujtimi i viteve mëparë, kur isha gjimnazist në gjimnazin “Naim Frashëri”, kohë kur në qytetin e Durrësit po mbahej Kongresi i Gruas në vitet ’70. Na organizonin e udhëzonin në shkollë ashtu si dhe të tjerët nëpër ndërmarrje e kudo të drejtuara nga levat e partisë së regjimit (PPSH-ja), që në pushim të seancave të Kongresit që mbahej në Pallatin e Sportit të Qytetit të mbushnim sheshet, trotuarët dhe rrugët e të tundnim flamuj e pankarta kur parakalonin delegatet e Kongresit (siç kanë bërë akoma dhe sot pushteti e politika ). Unë kam vënë re në atë kohë kur isha gjimnazist për një indiferentizëm të madh të qytetarëve durrsakë aq sa them me bindje se e kishin për ofendim të mbanin parullat e fotografitë e diktatorit dhe të brohorisnin për Partinë dhe Enver Hoxhën, dhe madje nuk trembeshin as nga presioni i listimit të emrave të bërë nga organizatat e partive dhe drejtorive të qendrave të punës dhe të shkollave pasi pjesmarrja ishte e rrallë dhe e çorganizuar, po ta krahasoje Durrësin me qytetet e tjera për raste të tilla apo dhe për ceremonira të vogla e spontane festive partiake ku të mbyste entuziazmi, euforia nga oshëtimat e brohoritjet ekzaltuese të pjesëmarrësve dhe e popullit “trim e patriot”(që deri diku janë identike si të tilla edhe sot gjatë tranzicionit nëpër mitingjet e organizuara nga partitë politike e sidomos nga Partia Demokratike e madje edhe më tepër akoma ngjasojnë me histeritë e liderëve vandal kur rrënuan Qytetërimin Romak e me ato të anakronizmit mesjetar pa kursyer fyerjet, shpifjet e fjalorin jocivil e deri dhe dhunën e vrasjet në favor të pushtetit “demokratik” të vjedhur e korruptiv).
Për qytetarinë durrsake ka qenë karakteristikë e një refuzimi të heshtur apo dhe të një indiferentizmi ndaj diktaturës, madje dhe të një oponence ndaj saj si në biseda, në mënyrën e veshjes, në ndjekjen e modës dhe të paraqitjes së jashtme, në guximin për të ngritur antena private televizive për të parë programe mode, sportive, politike dhe ekonomike si dhe lajme te stacionet e huaja kryesisht italiane duke bërë dhe hapur komente rreth tyre, e pra që do të thotë se ishte një guxim i tepruar për atë kohë, duke sfiduar kështu politikën e luftës së klasave dhe të izolimit politik, ekonomik dhe informativ të regjimit komunist. Për Shqipërinë, Durrësin e periudhës komuniste unë mund ta krahasoj si një “ Berlin Perëndimor” për gjithë pjesën tjetër të Shqipërisë, pasi këtë e vërente jo vetëm vizitori i huaj, por dhe ai që udhëtonte në Durrës nga qytetet e tjera të Shqipërisë. Durrësi në periudhën e regjimit komunist ishte, si mund ta them ndryshe, dhe një “oaz” perëndimor dhe qytetarët e saj ndjehen krenarë me qytetin historik si porta europiane e Ballkanit dhe si specifikë shqiptare e një Neë York-upan shqiptar ku zbriti Ismail Qemali i Pavarësisë, si kryeqendra e Principatës Shqiptare e Princ Vidit, e demostratave antikomuniste dhe e eksodit masiv drejt perëndimit që diskreditoi dhe përshpejtoi rënien e komunizmit; si qendra kryesore e pritjes së të dëbuarve shqiptarë të Kosovës gjatë krizës së saj në vitin 1999, po dhe më kryesore akoma, Durrësi me qendrën e mobilizimit “Drenica” ishte pika e grumbullimit dhe rekrutimit të mijëra vullnetarëve të UҪK-së që vinin nga të gjitha trevat shqiptare dhe Perëndimi, SHBA-ja e deri Australia e largët po dhe e vullnetarëve të kombësive europiane si irlandezë, gjermanë, suedezë, italianë e francezë. Edhe në vitet tragjike të vitit 1997 të rrënimit të shtetit, e ku të gjitha ambasadat evakuuan personelin e tyre nga Shqipëria, në Durrës shikoje dhe takoje vizitorë të huaj. Për nivelin e lartë kulturor e qytetaresk dhe atë politiko- demokratik nuk mund të lë pa përmendur edhe ato se çfarë ka treguar si vlera kulture qytetare, demokratike, tolerance e pjekurie politike votuesi durrsak gjatë këtij tranzicioni demokratik. Ekziston një opinion se qytetarit durrsak nuk i intereson politika, po unë do t’ju bind për të kundërtën nëpërmjet një konstatimit tim, në dukje i thjeshtë por i vërtetë: Po deshe të dish se si qeveris pushteti shiko se si voton qytetari durrsak. Dhe kjo është e vërtetë se vota e tij ndëshkoi diktaturën komuniste edhe në zgjedhjet e vitit1991 dhe në ato të vitit 1992, ndëshkoi Referendumin e vitit 1994 kundër synimit për të montuar një Sulltanat Presidencial nga ish-presidenti autokrat Berisha, ndëshkoi me votë PD-në në vitin 1997 për katrahurën gati apokaliptike të keqqeverisjes së saj, po kështu dhe keqqeverisjen korruptive socialiste të ish-kryeministrit Nano në vitin 2005.
Por ajo që është tipike durrsake është fakti se ka katër mandate radhazi që pushtetin lokal, vota e tij ia beson Partisë Socialiste, dhe jo asaj të PD-së, pasi votuesi inteligjent durrsak vëzhgon, peshon e mirëgjykon për më të mirën e mundshme. Për qytetarin durrsak është diçka jonormale militantizmi i turmave zhurmëmëdha në sheshe e salla të mbushura me detyrim e nën presion nga pushteti me punonjës të administratës militantiste, me fëmijë e nxënës shkollash dhe sidomos me militantë të importuar e të mirëorganizuar nga periferia, fshati apo dhe më larg e më thellë akoma nga pushteti e qeveria. Për qytetarinë durrsake është e papranueshme që t’i besojë mashtrimeve të trasha të njerëzve pa sens kulturor, komunikativ, moral e civil të tillë si lidershipi i PD-së së Shqipërisë, i cili megjithëse që në moshën 15-vjeçare banon në Tiranë dhe asgjë të mirë nuk ka përvetësuar nga qytetaria tiranase, mbeti i pagdhëndur e agresiv e madje vetëm sa e ka infektuar e çoroditur atë, diçka që është në antitezë me personalitetin pozitiv të kulturës qytetare të patriotizmit, modestisë, thjeshtësisë, maturisë, tolerancës, tipike e shembullore të Shqipërisë së Mesme.
Shqipëria sot ka nevojë me të vërtetë për një Rilindje, po që së pari duhet të fillojë me një rilindje politike gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm, po në vecanti ka nevojë për Rilindjen politike të së djathtës, pasi me largimin nga pushteti të PD-së dhe vetë e djathta të fillojë e të rilindë, sepse çlirohet nga vargojt, pengesa e hermetizimit autokratik, i ndrydhur e korruptiv ku e mban akoma ish-kryetari i saj dhe shpura burokratike e korruptive e deputetëve miliarderë rreth tij. Partia Demokratike në pushtet gjatë këtij tranzicioni vetëm sa ka mashtruar e spekulluar me shtresën e të persekutuarve, ish-pronarëve, nacionalistëve dhe me vlerat demokratike, patriotike e qytetareske. Tani shpresoj se jo vetëm koha, po krahas saj dhe ndërgjegjësimi qytetar, civil e demokratik i alternativës liberale që identifikohet si “E djathta” e sistemit liberal demokratik modern të politikës, do rilindë pas një periudhe 50-vjeçare të diktaturës komuniste dhe pas plus afro 25-vjeçare e gjysmëdiktaturës paskomuniste të spiunëve e të komunistëve të konvertuar në demokratë që e përdorën të djathtën politike si maskë mashtrimi për qëllime pushteti e përfitimi personal.
Është koha për rigjallërimin e vlerave qytetare, intelektuale dhe traditave të mira kulturore kombëtare të nëpërkëmbura nga instiktet e paskrupullta, të egra e gati vandale të kësaj politike. Qytetarin durrsak nuk mund ta mashtrojë me dukjen sipërfaqësore, euforike dhe false në ekrane e nëpër mitingje asnjë pushtet, pavarësisht ngjyrimit politik. Opinioni durrsak e di mirë dhe është i ndërgjegjshëm se pavarësisht potencialeve të mëdha intelektuale e profesionale që ka, të gjitha pushtetet dhe qeveritë e kanë përjashtuar elitën qytetare e profesionale vendore durrsake nga punët publike si në parlament, qeverisje, arsim, shëndetësi, sigurime shoqërore, port, dogana, tatime, polici e shërbime. Nuk gjendeshin përfaqësues të elitës qytetare durrsake në listat për kandidatë për deputetë, ndonjë rrallë në listat për këshilltarë vendorë e kudo në administratën qendrore, por të cilat janë mbushur me të paaftë, injorantë, militantë me lidhje miqësirash e interesash klanore, krahinore e korruptive të derigjuara dhe të imponuara nga pushteti i deputetëve, ministrave e kryeministrave në qendër që merren deri dhe me pastruesit e rojet e zyrave; dhe dhuntia, aftësia e talenti durrsak është i papunë, i paaktivizuar ose në mërgim. Qytetari durrsak e kandëshkuar keqqeverisjen e PD-së, pasi pavarësisht favoreve dhe mundësive më të mëdha në vend që i ofron pozicioni portual e dogano-tatimor, resurset historiko-turistike e kulturore dhe e kapacitetit të lartë intelektualo-profesional njerëzor, edhe banorët e Durrësit vuajtën dhe po vazhdojnë akoma të vuajnë nga papunësia e varfëria, zhgënjimi e tradhëtia politike. Durrësi nga pushtetet, gjithnjë është parë vetëm si pre e favorshme për të bërë pasuri me korrupsion e kontrabandë dhe që në këto vite nuk kemi parë as vëmrndje e jo më ndonjë investim serioz nga qeveritë, përveç interesimit për tokat e Porto-Romanos për bizneset e Fazlliç, përkundrejt asaj që pronarët apo familjet fisnike durrsake enden poshtë e lart në kërkim për kthimin e kompensimin e pronave dhe të padrejtësive të së shkuarës nëpër zyrat e shtetit dhe të gjykatave të korruptuara, po që më shumë organet e shtetit e pushteti dhe drejtësia kanë bërë padrejtësinë, korrupsionin dhe abuzimin me to, e jo vetëm këto por keqqeverisjet kanë krijuar e shtuar dhe probleme të shumta e të tjera konflike ndërfamiljare, qytetare e kriza gjithësociale pronësore, korruptive e abuzive (si në tërë Shqipërinë, që nuk dihet se a do të gjejnë ndonjëherë zgjidhje dhe do të përkeqësojnë më keq po u zvarrit më kështu).
Këto virtyte e vlera tipike durrsake si kultura e mirësjellja, mikpritja,respekti e veçanërisht toleranca nuk duhen konsideruar e marrë si dobësi, por fatkeqësisht ato merren si të tilla kur kemi masivisht deri diku në shkallë vendi jo në nivelin e duhur emancipimin modern qytetaresk, demokratik, politik e patriotik.
Por kam diçka si porosi apo vërejtje për qytetarinë shqiptare apo shoqërinë civile në përgjithësi: Që të mos jetë e përgjumur dhe as indiferente ndaj së keqes dhe e tolerimit të tepruar ndaj saj, se pastaj ajo që vuan dhe e pëson më shumë është vetë ajo së pari, ku si vuajtja më e madhe është monotonia depresive dhe humbja e shpresës se mund të bëhemi një komb i denjë,i demokratizuar, i prosperuar dhe i integruar.
/portali DurresLajm/