Nga BUJAR QESJA
Në postat e mia elektronike më vijnë foto, informacione, lajme dhe njoftime të cilat i kërkoj, por edhe më dërgohen nga njerëz të ndryshëm, të cilët ndajnë me mua përpjekjet e mëdha, për ta mbajtur gjallë traditën kulturore, historike, sociale dhe sportive të Durrësit, qytetit tonë të përbashkët.
Një foto që provokoi reagimin tim, është edhe kjo që po publikoj në këtë shkrim të rradhës. Është viti 1973. Komiteti i Kulturës Fizike e Sporteve të Rrethit të Durrësit, kishte krijuar një praktikë më shumë se të shkëlqyer, që në fund të vitit dërgonte kartolina urimi me foto, nga sportistët dhe sportistet më të mira për atë sezon sportiv.
Kjo mënyrë nxiste dy grupime:
I pari: sportistëve më të dalluar u jepej një stimul moral publik.
E dyta: sportëdashësit dhe qytetarët e Durrësit, kishin shansin të kishin në duar mburrjen e tyre në sporte.
Veç kësaj, kjo pamje që formohej si kartolinë urimi, bëhej në polifoto gjigande dhe vendosej në vende të dukshme të Durrësit. Aso kohe drejtonte Komitetin e Kulturës Fizike e Sorteve një kuadër i formuar, profesionist klasi. Ai kishte mbaruar studimet e larta në Poloni për fizkulturë dhe sporte. Veç kësaj në mesin e viteve 50-të, ishte nga volejbollistët cilësore të kombëtares shqiptare të sportit të rrjetës. I paharruari ynë në këtë rast është Mustafa Çelkupa. Edhe e shoqja e tij
Flutura që vinte nga Elbasani, ishte një tjetër zonjë kryelartë e sporteve.
Në mos gaboj shef i klubit “Lokomotiva” ishte Nesti Petani, por që në kohë të ndryshme aty kanë drejtuar dhe qenë inspektorë emra shumë të njohur, sportistë dhe trajnerë me prestigj në qytet si Dhimitraq Goga, Rexhep (Lut) Bagoj, Dilaver Cara, Lluka Prifti, Vladimir Ajazi, Ilir Rugija, Hysen Lika, Ruzhdi Demiri, Milorad Jeremiqi, Fatmir Shyti, Fatmir Kërtusha etj. Si sekretar i Komitetit të Fizkulturës dhe Sporteve të Rrethit të Durrësit, ishte nga mësuesit më pikantë të fizkulturës, organizatori i aftë Kostandin Gajda.
Komiteti i fizkulturës dhe Klubi sportiv “Lokomotiva”, ishin nga më të dalluarit në Republikë. Drejtuesit, specialistët, trajnerët dhe ekipet ishin shumë të lidhur dhe çfaqej dukshëm qëllim i i njëjtë i përfaqësimit.
Veçanërisht Spartakiada e tretë kombëtare, do të mbetet kapitulli më i artë i arritjeve të sporteve të Durrësit. Ndjenja lokale për të përfaqësuar ngjyrat e qytetit, janë tema të larmishme shkrimesh, ku tregohet aftësia, mjeshtria, përkushtimi, thirrja për të dhënë edhe gramin e fundit të energjive për Durrësin, për ngjyrat e emrit nostalgjik “Lokomotiva”.
Historia e finaleve të Spartakiasës së tretë kombëtare, duhet të bëhet më prezente për publikun e gjërë, ku përgatitej në qendër të kryeqytetit festimi i fitimit të spartakiadës nga Tirana, ende pa përfunduar garat.
Ndërkohë, në të errur, Mustafa Çelkupa, i bërë njësh me trupën e sportistëve dhe trajnerëve luftonte deri në minutën e fundit, që Durrësi të marrë pikët e merituara.
Lutfi Zino, ky hero i çiklizmit durrsak futet i pari në “Qemal Stafa”. Shahu i krymjeshtrit Fatos Muço, bënte kërdinë mbi kundërshtarët. Pingpongu ishte plotësisht në duart e durrsakëve. Atletët tanë të mrekullueshëm, nën drejtimin e babaxhanëve dhe historikët e atletikës durrsake Rruf Kazati dhe Idriz Çinari, po merrnin pikët maksimale të mundshme. Dhe ndërsa në hotel “Dajti” ekipit të Tiranës po i bëheshin eleozhet e vendit të parë, nga gjyqtaria qendrore vjen njoftimi që Durrësi ka dalë fitues me një pikë më shumë. Dhe këtu është bërë nga hiletë më të pabesuara në sportin shqiptar. Vendi i parë, pavarësisht se ishte në sporte maste edhe punën e Komiteteve të Partisë në Rrethe. Dhe Tirana nuk mund të dilte pas Durrësit, duke na mundur me urdhër nga lart. Njolla e turpit, mbetet edhe sot e kësaj dite.
Por ajo që më intereson në këtë shkrim, është fotoja. Rezumeja që bëra, vlen për ti dhënë forcë dhe dritë argumentit, se në përpjekjet e mëdha të fitimit të finaleve të Spartakiadës së tretë Kombëtare një ndihmesë të fuqishme dhe aktive, dhanë edhe këto 16 sportistë të kartolinës së urimit.
Cilët janë ato? Kanë kaluar 48 vite, gati gjysëm shekulli. Po nis ti përmënd sipas vendeve që kanë zënë në këtë kartolinë urimi, që mbase jo vetëm për mua, mbetet një dokument fotografik me vlera historike.
Fatmir Shytaj, por që mbiemri i është lakuar në masën e tifozërisë dhe padashur edhe në media me mbiemrin Shyti. Konkurimi në sportin e peshëngritjes. Kampion dhe rekordmen. Anëtar i ekipit përfaqësues. Fitues edhe medaljesh në nivele ndërkombëtare. Trajner i ekipit të “Lokomotivës”, por veçanërisht i njërit prej yjeve të shtangës shqiptare Erlin Nikollës. Ndodhet në Bari të Italisë, në gjëndje shumë të vështirë shëndetësore.
Tatjana Kalavaci, një qitëse e lindur. Kampione dhe anëtare e ekipit përfaqësues. Bën pjesë në një grupim cilësorë të qitjes durrsake. Nermin Mullaj, një talente e atkletikës. Dalluar veçanërisht në vrapimet e distancave të mesme. Kampione dhe rekordmene. Aleksandra Kurtbegovi, një historike e basketbollit të femrave, që së bashku me Averikun, me motrat Veterniku, Rrogozhinën, Arapin, Dragoin, Balliun etj. nën drejtimin e trajnerit Niko Hercek, do të sillnin në Durrës trofeun e Kupës së Republikës në vitin 1975. Fatbardha Dervishi, kampione në vrapimin e garave 100 dhe 200 metrave. Konkuronte atletet më në zë të vëndit. Mësuese e dukimit fizik. Lidhi jetën me Rrahman Morinën, një zotni i atletikës në garat e thellësisë.
Lush Zina, prej 8 nëntorit 2021 “Mjeshtër i Madh” jeton në Amerikë. Por përfaqësimi që i bëri çiklizmit durrsak, kanë mbetur gjurmë e pashlyeshme.
Kristaq Toçi, mbrojtës krahu dhe ishte nga më të dalluarit e “Lokomotivës” së vitit 1973 në futboll. Fatos Muço, “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër Ndërkombëtar”, kryesportisti i sporteve të Durrësit. Aftësitë e tij në shah janë konsideruar mahnitëse, duke qenë në fokus edhe të mjaft shkrimeve dhe analizave në shtypin e huaj. E jashtëzakonshme paraqitja e tij në olimpiadën e Shkupit të vitit 1972, ku fitoi 9 ndeshje dhe barazoi 5, duke e çuar kombëtaren shqiptare drejt një klasifikimi jashtë çdo lloj parashikimi. Ai ka meritën që krijoi traditën në shahun durrsak, duke evidentuar shahistë të tillë me nivel si Erald Dervishi, Altin Çela, Harallamb Boshku, Lorenc Rama, Kozma Nasto, Hamza Xhakoni, Eqerem Nurçe etj.
Nysret Reka, i ardhur nga nja familje sportive ku i pari i tyre mbetet futbollisti Iliaz Reka në vitin 1943, e më pas me Agron Rekën në pingpong, motrat Lumturi Reka në volejboll, Flutura Reka në basketboll, Abedin Reka në basketboll, mbeti modeli i njeriut por edhe i sportistit. Nga më të mirët e basketbollit durrsak. Kristaq Todi, i cili ndonëse në moshë të thyer vazhdon të jetë pjesë e jona. I uritë dhe fisnik. Kampion në një nga garat e preçizionit dhe i vendosur prej shumë vitesh në ballë të qitjes shqiptare. Shefik Dervishi, që nuk jeton mbetet nga atletët më cilësorë në traditën e atletikës durrsake dhe më gjërë. Vrapimet e tij në 3000 dhe 5000 metra mbeten të pashlyeshme. Kampion kombëtar për disa vite.
Tut Leshteni futbollist me autoritet të padiskutueshëm. “Mjeshtër i Madh”, anëtar i ekipit përfaqësues. Emri i tij mbetet në kufijtë e legjendës. Esat Kryeziu kampion absolut në hedhjen e shtizës, veçanërisht në fundin e viteve 60-të dhe fillimin e viteve 70-të. Luan Hoxha volejbollist cilësor. Beniamin Mane mundës me karakter dhe grintë. Alqi Gjika karierë e pasur e volejbollit. Titullar me “Lokomotivën”, me “Partizanin” e njohur të fillimit të viteve 70-të, anëtar i ekipit përfaqësues.
Këto janë 16 sportisët dhe sportistet, që krijojnë gjerdanin e artë të sporteve në Durrës në vitin 1973. Janë të testuar teknikisht dhe të miratuar publikisht nga sportëdashësit dhe opinioni qytetar i Durrësit.
Sa traditë e bukur! Sa kënaqësi edhe tani kur e shikon këtë foto! Histori dhe sentiment. Brezi i ri ka nevojë të di diçka, nga e paraardhësit e tij dhe të krenohet me to. I evidentova me dëshirën e mirë për të çfletuar historinë tonë të pasur, thuajse në të gjitha degët dhe llojet e sporteve.
Është një histori, që na bën krenar gjithnjë.
Durrës: 28 nëntor 2021
Përmbajtja e fotos
Lart nga e majta: Fatmir Shytaj, Tatjana Kalavaci, Nermi Mullaj, Aleksandra Kurtbegovi, Fatbardha Dervishi, Lush Zina (Lutfi Zino).
Në rradhën e dytë nga e majta: Kristaq Toçi, Fatos Muço, Nysret Reka, Kristaq Todi, Shefik Dervishi.
Në rradhën e tretë nga e majta: Maksut (Tut) Leshteni, Esat Kryeziu, Luan Hoxha, Beniamin Mane dhe Alqi Gjika.