Nga BUJAR QESJA

Ulem për çdo mbrëmje dhe bubrroj në atë që quhet, albumi i memories fotografike. Personazhe të ndryshme, rrinë së toku njëri me tjetrin dhe “bisedojnë” si një herë e qëmoti. Bisedojnë siç bisedojnë burrat e mënçur, për halle dhe gëzime, por edhe për detyrat që kishin për t’i shërbyer bashkqytetarëve të tyre. Janë që të gjithë në një prerje. Kostumi i burrave me “mjekër”, i qendron hijshëm dhe durrsakët i kanë patur, i kanë dhe do t’i kenë kurdoherë pronë të tyre.

Nxorra nga syndyku i kujtesës tri burra dhe filloj të bisedoj me ta. Është një pamje e viti 1959, 62 vite të shkuara. Mosha ime atëhere ka qenë 8 vjeç. Por këto njerëz i njoh si “buka që ha”. Djersitem tek i vështroj. Drithërohem. Jam i mbytur në kujtime dhe nuk e di, a do të kaloj në brigjet e realitetit. Dallgët e memories, nuk më lënë të dal nga deti i kujtimeve. Janë tre burra me historitë e tyre, por që i bashkonte një qëllim i përbashkët:

Të qëndronin deri në fund siç e nisën jetën, të ndershëm, të sinqertë, të thjeshtë, masovikë, të ndjeshëm për t’i shërbyer njerëzve dhe të bindur për të dhënë më të mirën e tyre.

Bashkim Taga, Myslim Mustafa,Tom Gjiri! Myslim Mustafa, Tom Gjiri, Bashkim Taga! Tom Gjiri, Bashkim Taga, Myslim Mustafa! I vendosa tri herë në pozicione të ndryshme, pasi tek ata nuk kishte të parë, të dytë apo të tretë. Ato ishin njëlloj, siç e theksova më parë një prerje, të bërë prej një brumi. Nuk është thjeshtë malli dhe kujtimet që të përvëlojnë dhe të djegin, sikur të kesh prush të mbledhur në dorën e bërë grusht. Por mungesa e këtij formati zotnish sot, të shtojnë respektin dhe të detyrojnë të çash sytë në dysh, për ta parë foton dhe për t’u përqëndruar plotësisht tek ajo.

Edhe pozicioni i fotos më ngacmon, Në fundin e një rruge kryesore të Durrësit, pranë Bufe “Detarit”, ky lokal nostalgjik dhe i përmallshëm për durrsakët, pranë Torrës Veneciane, ku ndjehet puhiza e lehtë dhe përkëdhelëse që vjen nga deti, kanë vendosur të fiksojnë pamjen e tyre. Dhe pas 62 vitesh pa dashur, mendoj se është fiksuar një pamje e rrallë. Është një pamje burrash të vërtetë, që kanë bërë secili në punën e tyre atë historinë e vogël, që koha i dha përmasa shumë më të mëdha sa ç’mendohej.

Bashkim Taga! Mbaroi studimet e larta në Beograd si kuadër i edukimit fizik. Gjeti kohë të specializohej në sportin e basketbollit, duke u bërë njëri prej kalorësve aktivë të sportit të koshit në Durrës. Sa bashku me Dhimitraq Gogën, krijuan binomin historik në të gjithë sportin kombëtar, duke qenë modeli i vëllazërimit, miqësisë, bashkëveprimit dhe bashkëpunimit. Dhe e gjitha kjo u konvertua, në vendosjen në pidestalin e nderit të basketbollit durrsak. I gjithanshëm Bashkimi ynë, që shumë shpejt tërheq vëmëndjen time, për t’i kushtuar një profil angazhimit të tij shumëdimensional, në progresin dhe ecurinë marramëndëse të sporteve në Durrës.

Tom Gjiri! Ka mbaruar në universitetin e famshëm të Orvjetos në Umbria të Italisë, për edukimin fizik. Nga kuadrot e para që i vuri gjoksin, shpatullat, tërë trupin zhvillimit të sporteve në Durrës. Drejtoi disa vite fizkulturën në Durrës. Është parë të bëjë atletin, të luaj futboll dhe të lej gjurmë që nuk humbasin si trajner në futboll. Madje në mos gaboj në vitin 1968, “Lokomotiva” e Tom Gjirit, realizoi një rezultat historik duke fituar tetë ndeshje rradhazi 1-0, duke mos bërë dallim ndaj çdo kundërshtari.

Myslim Mustafa! Në këtë foto është me detyrën e Shefit të klubit Sportiv “Lokomotiva”. Një durrsak i vjetër, babaxhan, i komunikueshëm, me një humor që të trondiste tërë trupin. Kuadër drejtues në shumë pozicione, por që më shumë në Durrës është fiksuar si drejtori i çentralit elektrik.

Që të tre janë bashkuar në një foto. Është e vitit 1959. Dhe që të tre flejnë të qetë dhe së bashku si në një kohë në “magazinat” e mia të fotove, në kujtesën time të përjetshme, por edhe në mos cungimin historik të portreteve të tyre, të realizuar me artin dhe mjeshtrinë e popullit.

Një pamje shumë kujtime! Një pamje shumë mall!

Bashkim Taga, Myslim Mustafa, Tom Gjiri! Të paharruar!

Durrës: 2 dhjetor 2021 

Nga e majta: Bashkim Taga, Myslim Mustafa, Tom Gjiri.

Viti 1959