Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Galeria e personazheve që thith lapsi im, ndyshon sipas natyrës dhe pozicioneve që ofrojnë. Dëshira për t’iu përkushtuar personazheve që ndërtuan qytetarinë tërheqëse durrsake, rritet krahas ngritjes së pasionit dhe zellit të të shkruajturit, që tenton të arrijë në majat e profesionalizmit të një gazetari me rrugë krijuese gjysëm shekullore.
Në galerinë e pafund të personazheve që i jam përkushtuar, të cilat vijojnë edhe më tej, janë ulur dhe bisedojnë si në një kohë historiani dhe hulumtuesi, ndërtuesi dhe zbatuesi, mësuesi dhe nxënësi, veterani dhe i riu, sportisti dhe trajneri, intelektuali dhe mjeshtrit e profesioneve, shkrimtari, krijuesi dhe lexuesi, i vuajturi, i persekutuari dhe inkuzitori, punonjësit e shërbimit dhe klientët e tyre, qyteti me rrugët, natyrën, detin, të lindurit dhe të larguarit nga jeta etj, etj.
Dhe tani në sfidënvijuese. Në një tjetër sprovë dhe në provim para lexuesit, i cili pret me padurim personazhin e rradhës, apo ndryshe protogonistin. Gjërat nuk janë të lehta, sa ç’ofron shikimi sipërfaqësor i tyre. Se ç’frut fshihet brenda “lëvozhgës” që mbledh materialin, le ta shpalosim së bashku. Dhe këtu nis rrëfimi.
Sabri Tuçi në origjinë mbetet krutani krenar dhe në jetën familjare dhe profesionale, mbetet historia e skulpturës së Durrësit. Një i lindur në relievin malor të lartësive të malit të Krujës, me autoritetin e lënë nga historia figura e Skëndërbeut, e shtjellon jetën e tij në qytetin e famshëm historik të Durrësit, aty ku shkëmbi vjen e ulet sikur thithet nga fuqia e “Adriatikut” të stërlashtë. Dita e parë që Sabri Tuçi thithi ajrin e pastër e të filtruar të vendlindjes, është 6 shkurti i vitit 1916. Dera ku preu shiritin e fillimit të jetës, është e krutanit me “mjekër” Haxhi Tuçit dhe e bashkëshortes së tij Honkes.
Që në vogëli ky Sabri i Tuçëve kryelartë, u temperua me ajrin e ftohtë por të kthjellët që vinte nga Sari Salltiku dhe depërtonte në mushkëritë e njoma dhe në mëndjen e nisformuar të djaloshit. Haxhiu, një tregtar konkurues dhe i nderuar, ëndërronte që i biri të bëhej me shkollë dhe të kishte një të ardhme sa më të pranuar për jetën. Sa i takonte atij, do të bëhej copa që i biri të gjente veten në formatin më të pranuar. Shkolla më e dëgjuar për kohën ishte Harry Fultz në Golem të Durrësit, i ngritur nga amerikanët. Ishte një shkollë teknike, që i mundësonte Sabri Tuçit të lëronte në mëndjen e tij, diturinë dhe praktikën më të zgjedhur. Këtu mësoi anglishten, këtë gjuhë që siç do të rridhnin rrymat e fuqishme dhe të rrezikshme të jetës, do ta mblidhte Sabri Tuçin me mbulesën e ekzistencës dhe të mbijetesës.
Në detin e trazuar të jetës, “lundërtari” Sabri Tuçi do t’i rezistonte ritmit të ashpër të dallgëve, që edhe mund ta thithnin në thellësi, për të mos dalë kurrë prej andej. 22 vjeçari Sabri Tuçi, nuk pati kohë të mendoj. Nga “Harry Fultzi” në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Haxhi Tuçi ishte gati ta shkrinte pasurinë e tij, për të qenë tërë jetën i pasur në shpirt dhe në mëndje biri i dashur Sabriu. Pa e ditur se si do t’i vinin punët, Sabri Tuçi krahas përcaktimit të profesionit final, do të lexonte pentagramin e ndërtuar mbi notat muzikore të jetës. E këto nota kishin për t’u ekzekutuar nga orkestra shpirtërore e këtij krutani, që do të trondiste gjithçka me nismat e tij.
Nga Shqipëria në Itali. Nga Kruja në Romë. Nga Harry Fultzi në Akademinë e Arteve të Bukura, në kryeqytetin e famshëm historik të Romës. Bukuroshi krutan Sabri Tuçi krahas krijimit të ëndërrave për punën e re, hodhi spirancën në detin e thellë të shpirtit të pastër, duke kapur në rrjetën e dashurisë të bukurën, me pamje mahnitëse të vajzës nga Napoli, që s’kishte pak që kishte fituar edhe vëndin e parë si miss Kazerta. Kjo do të ishte Maria Jorio. Kjo bukuroshe e alegrisë italiane, do t’i qëndronte besnike në përmasa stoicizmi krutanit simpatik, burrit që u bë i famshëm në Durrës, me emrin tashmë nderues Sabri Tuçi.
Mënçuria shqiptare në Romë, mund ta trajtoja pa hezitim prezantimin e Sabri Tuçit në Akademinë e Arteve të Bukura. Një mesoburrë, me një xhaketë dopiopetë, me flokë të krehura lart, pak i zeshkët për të sjellur në Romë erën ballkanike të një vëndi që në 300 ditë të vitit e rreh vetëm dielli, duke e ditur fort mirë italishten krahas anglishtes, prezantohet në botën perendimore të Italisë fqinje me autoritet.
Sabri Tuçi në autoditoret e Akademisë së Arteve të Bukura të Romës, mësoi epokat dhe krijuesit e lavdishëm të pikturës dhe skulpturës italiane, duke nisur me pararendësit e parë të Rilindjes Cavallini, Martini dhe Giotto, Bondone, Brunelleschi, Francesco, Botticelli , me Rilindjen e hershme dhe me Rilindjen e lartë të përfaqësuar nga katër titanët Leonardo da Vinci, Michelangelo, Raphael dhe Titian, që lindin një herë në 1000 vite. Mësoi për shkollën Veneciane të pikturës, atë të Firencës për skulpturën ku veçon Davidi i Mikelanxhelos, ku në shekullin e 16-të dominon Roma në artin italian të pikturës. Kultura e pasur dhe ku Sabri Tuçi diti të orjentohet në informacionin e gjërë me natyrë hipnotizuese, e ndihmoi që aty të përcaktonte dellin shqiptar të krijuesit, duke ruajtur një origjinalitet të dallueshëm ku i dha punimeve shpirtin e tij artistik.
Nuk kam informacion për të ditur se, cili shqiptar tjetër ka përfunduar Akademinë e famshme të Arteve të Bukura të Romës, por sigurisht Sabri Tuçi mbetet nga të rrallët. Ai është bashkkohës me piktorët shumë të njohur shqiptarë si Ibrahim Kodra, Foto Stamo, Andrea Mano etj. Piktura dhe skulptura janë të vështira. Duhet durim, psikologji e vëmëndje, qetësi e saktësi për të transmetuar atë botë krijuese të fshehur brenda vetes, e që kërkon mund për t’u çfaqur e transmetuar të tjerëve. E si m’u kujtua edhe prejardhja e fjalës Sabri, që vjen nga arabishtja e vjetër Sabr që do të thotë durim, i matur, i qetë. Dhe ky emër i shkoi aq në sinkron, Sabriut të fisit të famshëm krutan të Tuçëve.
Pasi krijoi veprën e parë në pikturë “Plaku”, shqiptari Sabri Tuçi do të befasonte komisionin e vlerësimit italian, kur mbrojti diplomën me veprën “Djaloshi Shqiptar”. Jehona e këtij punimi ishte e ndjeshme. Për këtë Tuçi ynë u trajtua si “Fidia shqiptar”, apo “Davidi shqiptar” duke tentuar të krijohet një paralele me veprën e famshme të Mikelanxhelos “Davidi”. Kjo ndodhi në vitin 1943, në kulmin e zhvillimit të luftës ë dytë botërore. Një vit më parë, punoi në mermer portretin e Marie Jorios, kësaj bukurosheje napolitane, që rastësia ia ngacmoi dëshirën për të qenë pjesë e përjetshme e familjes së tij.
Punimi i diplomës, ku ndjehej dhe prekej mjeshtria krijuese dhe realizuese e shqiptarit Tuçi, detyroi drejtuesit e Akdemisë që ti ofronin detyrën e pedagogut. Nga ofertat më lakmuese që mund të jenë bërë ndonjëherë.
Dashuria për Atdheun, Krujën e tij të shtrenjtë, e detyruan të rikthehej me synimin për të jetuar më pas në Itali. Por lufta nuk e la ta bënte këtë paqe me vetveten dhe përfundimisht së bashku me Marian, gruan e cila pa e ditur u përball me sfida të jashtëzakonshme, duke i qëndruar besnik mjeshtrit të skulpturës Sabri Tuçi. Dashuria e pakufishme ndaj gruas së tij italiane Marias, bëri që Sabri Tuçi të realizoj një bust kryevepër “Gruaja”, me të cilin në bienalen e Kajros në vitet 60-të të fitoi medaljen e vëndit të dytë.
Art, punë, lodhje, ngacmime të jashtëzakonshme psikologjike në rolin e krijuesit, fantazi shoqëruar me vlera artistike, që ia ngrinin së tepërmi koefiçentin e profesionalizmit, i dhanë mundësinë që të vendoset në pozicion historik avantazhues të skulpturës shqiptare. Një krutan i lindur, një krutan i përkushtuar ndaj këtij qyteti të dashur dhe të gurtë, ndaj këtij qyteti që i dhuroi dy punime tërheqëse në skulpturë pamjen e Skëndërbeut dhe të bashkëluftatatrit të tij Vrana Konti, u bë edhe një durrsak i përsosur. Me anglishten e tij të saktë, me një të folur plot finesë e mjeshtri, duke i shtuar këtu edhe humorin e hollë plot lëng e shpirt, Sabri Tuçi kthehet në një mësues popullor, me një admirim jashtë të zakonshmes në masën e rinisë shkollore.
Dhe koha tjetër kalonte me punë në studion e tij, duke vendosur mbi krye një mbulesë për ta mbrojtur nga ashklat që prodhonte dalta e tij mbi allçiun, gurin, mermerin, bronzin etj. Fuqia fizike, kombinohej me fuqinë krijuese, me frymëzimin dhe botën e pasur shpirtërore të këtij krutani të rrallë të artit, që deri në fund mbeti skulptori me frymë realiste, duke anuar edhe nga rryma neoklasike.
Largohet nga Kruja vetëm dy vite pas çlirimit të vëndit dhe vendoset në qytetin që njom deti, në Durrësin ku bëri artin, në Durrësin ku lidhi miqësi të çmuara, në Durrësin që i dha zemrën dhe shpirtin e artistit, në Durrësin që i dha kursin e parë të pikturës, në Durrësin që falë tij krijoi Galerinë e Parë të Artit, në Durrësin ku lindi shtatë fëmijë si drita, në Durrësin ku u detyrua të kalojë shumë probleme me një ngarkesë të pazakontë. Si një rrufe në qiell të hapur, ishte burgosja për 10 vite e italianes së tij, dritës së jetës Maria Jorio me të zakonshmen motivacion “agjitacion e propagandë”, “tradhëti ndaj Atdheut” e të tjera nofka të ndryshkuara që siste sistemi i kohës.
Dhe në këto kushte të rënda, ku duhej të rriteshin shtatë frymë, vjen edhe lajmi tjetër, pse jo i kobshëm të heqjes së studios, të ndërprerjes së punës dhe të mos publikimit të veprabe. Kjo ishte vrasja e dytë për Sabri Tuçin, pas vrasjes së parë të arrestimit dhe burgosjes së Marias. Jetë e vështirë, ku ndërthureshin vuajtjet, trishtimi, rrënimi shpirtëror, me mbijetesën e pasionit dhe të një talenti të rrallë. Më kujtohet Sabri Tuçi tek ecte rrugëve të Durrësit, duke çapitur me kujdes hapat e tij të rëndë, mbledhur në një pardesy ngjyrë kremi, e zgjatur deri pak centimetra larg tokës. Ndalonim dhe përshëndeteshim. Me atë krutançen e tij origjinale, sa bukur më tingëllonte dhe sa shumë e doja në ato çaste kur më thonte:
-E djali i Xhafës, si ka qenë baba!
Halle dhe punë. Derte, mërziti dhe përsëri punë. Shpirti i qante, zemra e coptuar dhe punë përsëri. I vetëm për 10 vite, me gruan të prangosur dhe punonte si në ilegalitet, tek studiot e shokëve dhe të miqve. Ai kishte shtatë fëmijë me frymë dhe daltën të tetën, që i jepte frymë veprave të tij të iventarizuara tashmë në kujtesën e një populli, e veçanërisht në Durrësin e jetës dhe të punës që e deshi po aq sa Krujën e përmallshme dhe pikë e fortë e shpirtit. Në një ditë të ftohtë të dimrit, me 19- të të janarit e të vitit 1992, ku vetëm dy vite kishte që shqiptarët po i gëzoheshin ndryshimeve, Sabri Tuçi, miku ynë i madh, mësuesi që u mësoi durrsakëve anglishten, skulptori i fantazisë, i gdhëndjes së historisë së figurave historike, skulptori i “buzëqeshjes së trishtë” mbylli syti, për t’i hapur ne tonat që kujtesa të mos na ndryshket, e memoria të mos na çedojë.
Një pllakë e ftohtë varri në Krujë, të tërheq për të lexuar thjesht dhe prekshëm:
Sabri Tuçi, 6 shkurt 1916 – 19 janar 1992. Dhe një pllakë e ftohtë po e tillë, është edhe ajo e Maria Jorios por vendosur në Romë. Është ai qytet i paharruar, ku lindi dashuria e krutanit tërheqës Sabri Tuçi me këtë italiane magjepëse:
Maria Jorio 1920-2003.
Është e rrallë ajo që ndodh me Sabri Tuçin. Respekti i madh, në përmasa shumë të veçanta i nxënësve të tij. Ajo që bëri Sabriu për to nuk, mund të harrohet. Kursi i parë i hapur për vizatim në vitin 1946 bëri bujo, shumë bujo. E nga ky kurs, e nga ky mjeshtër, e nga ky Sabri Tuçi morën lapsin dhe fletën e bardhë për të hedhur shpirt dhe ndjenja emra të tillë :
Kristaq Rama, Zef Ujkaj, Dhimitër Harallambi, Nelo Lukaëi, Bajram Likmeta, Myrvete Dajlani, Qazim Kërtusha, Idriz Balani, Spiro Mazhe, Skënder Balaj, Ibrahim Reëi, etj. Kursi u shtri edhe në pikturë, edhe në skulpturë. Një pjesë prej këtyre emrave u bënë arstistë të famshëm, por që kurrë nuk harruan të thonin:
-Që dolën nga shkolla e artë e Sabri Tuçit, dalta krutane e skulpturës shqiptare.
Sabri Tuçi ka 29 vite që ka ndalur frymëmarrjen, por nuk kanë ndalur përpjekjet nxënësit e tij, për të bërë ç’është e mundur që profesorit të tyre ti jepen meritat që i takojnë, ato merita të bëra copash nga sistemi. Më i avancuari prej tyre mjeshtri i njohur i skulpturës Idriz Balani. Sabriu ishte frymëzuesi i tyre, mbase edhe përcaktuesi i rrugës së tyre, duke i nxitur të bëhen profesionistë dhe mjeshtra. Dhe Balani me ndjesinë e respektit dhe mallit të pashuar ndaj profesorit të tij të artë, krijoi plot dashuri dhe art bustin e Sabri Tuçit. Dedikimi nga më tërheqësit: “Profesorit që gdhendi dashurinë”. Dhe ky dedikim u mbështet nga një grup intelektualësh durrsakë si Abdulla Ndreu mësues, Bajram Likmeta ekonomist, Hajdar Kovaçi arkitekt, Dhimitër Harallambi skulptor, Haxhi Rama regjisor, Qazim Kërtusha skulptor etj.
Qytetarët krutanë, sapo e mësuan që birit të tyre Sabri Tuçit në Durrës i është bërë një bust, dhurojnë me plot dëshirë një shkëmb prej guri, ku është vendosur si në shtëpinë e tij skulptori i njohur. Punimi dallohet dukshëm në bri të Torrës Veneciane, shumë pranë bustit të Heroit të Popullit “Mujo Ulqinaku”. Është larë në bronz dhe shkëlqen si masë e florinjtë, shprehje e punës së tij të jashtëzakonshme.
Dashamirësit bënë edhe dy nisma të tjera. Hapën një ekspozitë me 16 punime në skulpturë të Sabri Tuçit dhe ndikuan që babait të gdhëndies durrsake, t’i jepej titulli “Mirënjohja e Qytetit të Durrësit”.
Sabri Tuçi realizoi në gur, allçi, mermer dhe bronz 180 punime. Kryesisht janë portrete si “Studentesha”, “Nako Spiru”, “Nuri Luçi”, “Kajo Karafili”, “Mustafa Gërxhalliu”, “Nikolin Xhoja”, “Kasem Durrësi” etj. Punimet e tij janë vendosur në Durrës, Vlorë, Shkodër, Krujë, Kavajë, Rrogozhinë, Laç, Tepelenë etj. Në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë, qëndron punimi në mermer “Gruaja”, duke kujtuar Marian e tij të shtrenjtë. Krutani me pasaportë durrsake Sabri Tuçi, jeton dhe do të jetojë gjithnjë, pasi jeton dhe do të jetojë gjithnjë vepra e tij, të dala nga duart dhe mëndja i një mjeshtri të rrallë të daltës.
Skulptori i popullit Muntaz Dhrami, është i “dehur” nga veprimtaria e pasur kolosale dhe mjeshtërore e Sabri Tuçit .
-Mbetet një portretist mahnitës, me forcën demostruese të artit të tij. Është nga skulptorët më të mirë shqiptarë, bashkëkohës i Odise Paskalit, Llazar Nikollës etj. Pruri nga Europa Perëndimore, mjeshtërinë artistike të gdhendjes së gurit dhe mermerit. Nga andej solli gjithashtu tiparet e shkollës realiste, të cilat i trupëzoi shumë mirë në veprat që ka lënë në skulpturë. Punimet e tij janë, në themelet e skulpturës realiste shqiptare.
Skulptori Sabri Tuçi është spikatës, pasi ka ditur të depërtojë në psikologjinë e figurave e njerëzve të ndryshëm që ka portretizuar. Ka qenë një artist, që dinte të zbulonte vlerat estetike të materialeve në të cilat ka punuar. Jeta e tij ka qenë plot tallaze, por ai nuk e la asnjëherë punën. Studioja e tij ishte një Mekë, ku nxënësit shkonin të faleshin e të mësonin të zhvillonin aftësitë e tyre artistike. Nuk bëri portrete impozante për t’i vënë nofkën socialist, por diti të pasqyrojë në veprën e tij, tiparet e karakteristikat e shkollës ku studioi, e u formua si artist.
Nga presidenca shumë shpejt pas 90-tës, Sabri Tuçit i jepet titulli “Skulptor i Merituar”.
Sabri Tuçi krijoi një jetë plotë emocionesh dhe mbresash të pafund në sajë të veprës së tij. Puna krijuese, e lidhur me shijen e hollë plot fantazi të artistit, bëri që ai ti trashëgojë dhuratë shoqërisë portrete të skalitura, duke nisur nga fëmija dhe i rrituri, nga punëtori dhe bujku, nga heroi tek njeriu i thjeshtë, nga vajza dhe djali, nga nxënësi dhe mësuesi, nga luftëtarët dhe qendrestarët, duke krijuar galerinë e artë të artit të tij mbreslënës. Meritat çmohen shumë, aq sa edhe vetë vepra e tij, ndonëse një pjesë e krijuar nëpërmjet përjetimeve tronditëse dhe trishtuese.
E gjërë vepra e Sabriut dhe shumë e madhe dhe familja e tij. Çifti Tuçi u shtua me shtatë fëmijë, njëri më i bukur se tjetri. Dhe familja e Sabri Tuçit ishte një krijim mahnitës, e ndërtuar si një gjerdan i lulëzuar në kopshtin e qytetarisë durrsake. Djali i madh Haxhiu, i ndarë nga jeta, vajzat Vojsava, Violeta, Teuta dhe Karmelina, Anna dhe djali i dytë Hysniu, plotësojnë nëntë frymët e familjes së mjeshtrit Tuçi. Dhe të gjithë jetojnë në Itali, fqinjën tonë të bekuar.
Vojsava me Violetën banojnë në Foxhia. Teuta me Karmelinën në Romë, aty ku babai i tyre mbaroi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura dhe lidhi jetën me nënën e tyre Marian, aty ku edhe është banesa e përjetësisë e italianes më bukuri të përkryer. Hysniu, futbollist i njohur i ekipit “Shpresa” të Durrësit jeton në Brindisi. Ndërsa Anna, vajza e pleqërisë, e vogla që e ndoqi të jatin në çdo hap të krijimtarisë dhe tani po bëhet copash ti shtoj vlerat e përjetësisë, ka ndërtuar jetën në Riçone. Juristja Ana Tuçi është bashkëshortja e ekonomistit të njohur Valentino Mustaka, që është njëkohësisht edhe Kryetar i Partisë Partisë së parë arumune/vllahe ABDE.
Durrsakët e mbajtën afër djalin simpatik nga Kruja, që u burrërua së bashku me artin e punës së tij itensive. Edhe Sabri Tuçi u akomodua në këtë qytet të lashtë dhe të civilizuar në mënyrën më të mirë. Binomi sinkronizues i Tuçit me durrsakët, mbetet nga më të arriturit, duke u veshur me kostumin me ngjyra të ndezura të bukurisë shpirtërore.
Durrsakët mburren me veprën e Sabri Tuçit, sepse e trajtojnë si krenarinë dhe kryelartësinë e tyre, që ua shpërbleu me artin tërheqës të një skulpture që qeshte dhe gëzonte, por pa i humbur notat e theksuara të trishtimit.
Sabri Tuçi një figurë komplekse, ku nuk ndahen tiparet njerëzore nga ato të skalitura në portretet e tij të gdhëndura. Gjithnjë të mbetet në kujtesë, figura e zeshkët, e rrudhur nga pesha e viteve dhe e dhimbjeve, ku duart e brishta por me fuqi akiliane, gdhëndnin e gdhëndnin pambarimisht. Edhe disa muaj para se të kalonte në agoninë e përjetshme, mendoi për punën duke hapur një ekspozitë impresionuese. Ishte e fundit, por absolutisht për të menduar fundin e tij.
Sabri Tuçi ishte dhe do të mbetet gjithnjë një fillim i bukur, emocionues, me ngarkesat e pazakonta shpirtërore që kaloi, por duke mos e ndalur kurrë buzëqeshjen, por gjithnjë të trishtë, që është skulptura më e bukur, skulptura e përjetësisë së tij.
Durrës: 14 dhjetor 2021