Kryeqyteti i Turkmenistanit në Azinë Qendrore është cilësuar si qyteti më i shtrenjtë në botë për punëtorët e huaj.
Ashgabat, një qytet me rreth një milion banorë, kryesoi raportin e kostos së jetesës për vitin 2021 nga kompania këshilluese Mercer.
Renditja e vendos Ashgabatin mbi qytetin më të kushtueshëm të vitit të kaluar, Hong Kong, i cili u rendit i dyti, i ndjekur nga Bejrut në Liban dhe Tokio në Japoni.
Raporti vjetor rendit 209 qytete bazuar në koston e shpenzimeve të tilla si strehimi, transporti dhe ushqimi. Mercer tha se analizoi më shumë se 200 mallra dhe shërbime për raportin, i cili është krijuar për të ndihmuar kompanitë dhe qeveritë në të gjithë botën të përcaktojnë sa duhet të paguajnë punonjësit e huaj.
Shumica e qyteteve në 10 vendet e para të renditura nga Mercer janë qendra biznesi, ku rritja ekonomike ka çuar në një rritje të çmimit të banesave dhe kostove të tjera të jetesës.
Tirana në raport me vendet e rajonit
Nga 209 qytetet e marra në shqyrtim është edhe Tirana, e cila krahasuar me një vit më parë, është bërë më e kushtueshme.
Ajo renditet në vendin e 152 nga vendi i 163 në 2020. Nga kostoja e jetesës për të huajt renditet në të njëjtin nivel me qytetin e Meksikos në Meksikë, Kuala Lumpur në Malajzi dhe qytetin Rabat në Marok.
Beogradi i Serbisë renditet në vendin e 163, duke u ngritur me 20 vende nga raporti i vjetshëm. Shkupi renditet në vendin e 192 nga 202, Sofja në vendin e 165 nga 180.
Stambolli duket se është bërë më i lirë për të huajt krahasuar me vjet. Ai renditet në vendin e 173 nga vendi i 156 i një viti më parë. Bishek, qytet në Kirgistan renditet i fundit, si më pak i kushtueshmi për të huajt. /Monitor