Qytetet e gurta dhe historike, si Berati dhe Gjirokastra të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e kanë pasur në thelb të ekzistencës traditën e punimit të gurit dhe drurit.
Ajo mishërohet në shumë objekte të trashëgimisë kulturore materiale, si ato të kultit, dekore, çezma, banesa dhe rrugica. E trashëguar brez pas brezi, mungesa e artizanëve vitet e fundit po kthehet në sfidë për qytetet muzeale për shkak edhe të mungesës së dëshirës së të rinjve për ta ushtruar.
Në tre lagjet simbol të qytetit të një mbi një dritareve, atë “Kala”, “Goricë” dhe “Mangalem”, zhurma e një çekani ndihet thuajse çdo ditë të vitit, në verë apo në dimër.
Prezenca e shumë objekteve të trashëgimisë kulturore, objekteve të kultit, banesave monument kulture, por edhe prezenca e rugicave prej guri sjell gjithmonë nevojën për meremetime.
“Mes skicave, përzgjedhjes së gurit dhe dhënien e formës së tij, me riparime, ndërtime, krijime të reja, ja kështu i kaloj ditët”, rrëfen për Median Amfora, Jorgji Fani ose siç e njohin të gjithë në Berat, Xhoxhi, një prej restauratorëve më të njohur të gurit në këtë qytet.
Për mjeshtrin e gurit, i cili ka mbi supe një punë mbi 45 vjeçare në restaurim, shqetësimi i profesionistit lidhet me mungesën e specialistëve, ndaj dhe nuk rresht kurrë duke e ngritur këtë problem.
“Në dy-tre vitet e ardhshme nuk do të ketë më specialistë të mjeshtërive”, thotë Fani.
Veç shumë objekteve të trashëgimisë kulturore, objekteve të kultit, banesave muze, Berati ka edhe 80.649 metra katrorë rrugë të kalldrëmta, të shtrira në të gjitha lagjet e tij, të cilat kanë nevojë herë pas here për mirëmbajtje.
Mungesa e mjeshtrave të punimit të gurit dhe drurit u ngrit nga qytetarët edhe përmes platformës “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar” të Medias Amfora, ku renditeshin disa nga sfidat për trashëgiminë kulturore materiale.
Në qytetin simotër, Gjirokastër, Bilbili që sot është 57 vjeç dhe e nisi punimin e gurit që në moshën 17 vjeçare, rrëfen se mungesa e të rinjve që kanë vullnet për ta ushtruar këtë profesion është sfida më e madhe.
“Punë në këtë fushë ka plot, gjithmonë, çdo ditë të vitit. Kam për të ndërtuar një çezmë guri në një bujtinë, dy mure për t’i riparuar. Këto punë nuk kam se me kë t’i mbyll sepse nuk gjej profesionistë, por as ndihmës”, thotë Bilbili për Median Amfora.
Mjeshtri nga Gjirokastra, së bashku me kolegun e tij Fani nga Berati, kanë shqetësimin e vazhdueshëm që nëse sot ata dhe të tjerë të pakët si ata, nuk do të mund ta trashëgojnë mjeshtërinë ato do të humbasin me kohën.
“Specialistët e mbetur kanë ende mundësinë të përgatisin brezin e ri, të përcjellin ato njohuri që kanë fituar ndër vite dhe për këtë duhen shkolla, kurse të plota. Të merren nxënësit nga shkollat profesionale ose dhe të mesme, të trajtohen në gdhendjen e gurit dhe drurit sepse për restaurimin këto janë teknika kyçe”, thotë Fani.
Nisur nga këto nevoja, por edhe nga perspektiva e zhvillimit të qyteteve muzeale që e kanë në qendër të ofertës së tyre peizazhin e banesave të gurta, dekoruar me punimet e drurit, specialistët theksojnë nevojën e arsimimit dhe përgatitjes së të rinjve në këtë drejtim.
Organizatat Jo-qeveritare dhe organizimet e artizanëve kanë nisur përpjekjet me projekte pilot për të përgatitur brezat e rinj të artizanëve, guida dhe teknika të reja të punimit të gurit dhe drurit.
“Për periudhën 2016-2020 vetëm në dy qytete, Berat dhe Gjirokatsër janë trajnuar nga projekti ‘Teknikat tradicionale në ndërtim’ dhe certifikuar mbi 65 mjeshtra dhe ndihmës-mjeshtra për teknikat e punimit dhe restaurimit të gurit në ndërtesat historike”, rrëfen Ana Pekmezi, nga Organizata Jo-qeveritare “Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri” (CHwB – Albania).
Pamundësia për tu punësuar me këto profesione dhe rezultatet që nuk preken shpejt, bën që edhe këta mjeshtra të dalë së fundmi të gjejnë forma të tjera punësimi jashtë kësaj fushe.
“Vazhdimisht pregatis djem të rinjë, që afrohen për punë, punojnë disa muaj, por kanë pritshmëri shumë të mëdha dhe kur shohin që kjo punë do vullnet, pasion dhe përkushtim largohen dhe ma kanë lënë punën në mes”, thotë Bilbili.
“Pajisja e mjeshtrave restauratorë me një licensë individuale për të kryer punime të thjeshta, riparimi e restaurimi në ndërtesat historike, do të nxiste krijimin e skuadrave të vogla të punës, ku do të mund të angazhoheshin edhe më të rinjtë”, sugjeroi Pekmezi.
“Në këtë mënyrë, do të sigurohej jo vetëm vazhdimësia e këtij profesioni, por do të lehtësohej edhe procesi i mirëmbajtjes të monumenteve të këtyre qyteteve”, shtoi ajo.
Nevojën për ndëhyrjen e institucioneve përgjegjëse në këtë çështje e kërkojnë dhe mjeshtrat Bilbili dhe Fani, duke vendosur theksin tek arsimimi i plotë dhe afatgjatë.
“Kjo duhet bërë me shkolla. Nga njëra anë të mësohet profesioni dhe kjo nuk bëhet me kurse disa mujore, por do punë të përditshme shumë mujore. Nga ana tjetër të zbatohet në terren puna me qëllim që të kultivohet dashuria për këtë profesion”, thotë Fani.
Adelina Theodhori, një artizane që synon promovimin e traditës në Berat dhe që ka bashkuar artizanët e qytetit në “Qendrën Margarita”, duke i ndihmuar në shitjen e produkteve që ata realizojnë, sugjeron për ndërhyrje institucionale për mbajtjen gjallë të traditës.
“Është domosdoshmëri të punohet me të rinjtë në qytet sepse ringjallim zejet në zhdukje, ndihmojmë të rinjtë, i shmangim nga rruga duke u dhënë punë dhe i përgatisim nëpërmjet kurseve të trajnimit që të jenë të aftë të punojnë si ndihmësa duke përfituar eksperiencë pas ustallarëve që po moshohen dhe nesër të jenë të aftë të punojnë të pavarur”, thotë ajo. /Marrë nga Amfora.al