Reportazh nga Morena Çyrbja

Në Durrës edhe shiu është i bukur, qoftë dhe në këto ditë vere. Nëse nuk lahesh dot në det, pak minuta, pasi shiu pushon, mund të bësh një shëtitje në qytet, pasi ke lënë plazhin përmes një bulevardi tejet evropian. Por më mbrapa ke lënë Shkëmbin e Kavajës, kodrën ku u zhvillua beteja midis Cezarit e Pompeut, që njihet me emrin “Shkëmbi” dhe po përballë tij, “Kodra e Shën Mëhillit”, ku u bë beteja midis Perandorit të Bizantit, Aleks Komneni dhe Robert Guiskardit, në 18 tetor 1081.

Këtu u zbulua një bazilikë e shek. VI, e vizitueshme, sidomos për mozaikun e saj.

Por dhe qyteti historik, me nëntokën e mbitokën, të tërheq. Bukuri e sotme nën shiun e verës dhe bukuri e djeshme, e shpërndarë nën tokë, në muret e kalasë, rrënoja, shtëpi 100-vjeçare apo  pallate moderne 16-katesh.

Qyteti nga viti në vit ka ardhur duke u zgjeruar. Pamja urbanistike e arkitekturore e tij ruan gjurmët e kohës.

Karakteristikë nga qyteti modern mbetet “Rruga Tregtare” e projektuar, hapur fillimisht, në vitin 1927, pas rënies së tërmetit të vitit 1926. Dallohet për ndërtesat e stilit të arkitekturës italiane të fillimit të shek. XX.

Sot qyteti ka rrugë, sheshe, shëtitore, lungomare, krahas ndërtesave të banimit e mjediseve argëtuese e çlodhëse në funksion të turizmit.

Te Moisiu

Shëtit e hutuar dhe ngado sheh ndërtesa shumëkatëshe me arkitekturë kaotike.

Dhe këmbët të çojnë nëpër ca rrugica të një qyteti evropian nga larg. Ja Muzeu i Kulturës Popullore. Hapur në vitin 1982 në mjediset e shtëpisë karakteristike durrsake, e gjysmës së dytë të shek. XIX. Janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtërisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij. Përmban koleksion të pasur të veshjeve popullore të trevës etnografike të kësaj zone të Shqipërisë së Mesme, si dhe punime artizanale në material lesh, mëndafsh, pambuk, bri, bakër e gur. Sikur dëgjon jehonën e gëzimeve dhe hidhërimeve popullore në dasma dhe mort.

Po ky muze është i dyfishtë. Shtëpia muze “Aleksandër Moisiu”. Eshtë përuruar në shtator 1982. Këtu ka kaluar fëmijërinë e tij aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu, në vitet 1884-1889, ku ka kryer dhe vitet e shkollës fillore. Në dy dhoma shpalosen në stenda biografia e tij familjare e artistike bazuar në dokumente autentike; kurse në dhomën e dytë paraqiten vepra arti të krijuesve vendas për figurën e aktorit të madh.

Perandorët e këtij qyteti

Del nga këtu, buzë kështjellës mesjetare dhe durrsakët mikpritës të shoqërojnë te Muzeu Arkeologjik.

Muzeu i vjetër është përuruar në mars 1951. I riu më 13 prill 2002. Muze i përmasave kombëtare dhe ballkanike. Pasi hutohesh nga një pasuri e jashtëzakonshme, sa të merret fryma, del jashtë.

Tashmë dielli ndriçon. Rruga, që të çon në Currila, mbipopullohet nga njerëzit. Por, has dhe disa turistë amerikanë, që nisen drejt Rrethojës Bizantine. Ndërtuar në kohën e Perandor Anastasit I (491-518), me origjinë nga familjet senatoriale të Dyrrahut, me material tulla e llaç, ndërtim karakteristik i kësaj periudhe, ku shënohen mbi tulla dhe vula të këtij perandori, si dhe të punishteve shtetërore. Bëhej rrethimi i qytetit me kurorë të trefishtë, gjatësi lineare 3,5 km, lartësi muresh 12 m., gjerësi, siç vinte në dukje historiania bizantine A. Komnena, sa për të kaluar brinjas njeri tjetrit katër kalorës.

Edhe perandori tjetër me origjinë ilire, Justiniani (527-565) ndërmori vepra me karakter mbrojtës, siç njihet, Portëza, ose Porto Romano, në veri të qytetit.

Turistët pyesin, shkruajnë, fotografojnë. Mahniten nga e kaluara dhe thonë fjalë të mira për pasurinë e peizazhit, detin, qiellin sa të kaltër, aq të ndryshuar nga vrapimi i reve.

Na ishte dikur një café chantant

Por befasia është Forumi bizantin (Macellum ), që ndodhet prapa Pallatit të Kulturës “A. Moisiu”, fundi i shek. V pas K.

Së bashku me Termat publike, të periudhës romake, poshtë themeleve të pallatit të Kulturës, krijon një ansambël, një “ishull arkeologjik”, në qendër të qytetit.

Këtu, për tre vjet rresht, është bërë hapja e Poetekës. Poetë shqiptarë dhe të huaj magjepsen me ndërthurjen e shek. XXI, Bizantit, Antikitetit.

Ngatërrim poetik kohësh, kur të spërkat një vesë e lehtë. Dhe bëhesh poete dhe pa qenë e tillë.

Me poetët shkon te Tora veneciane. Ndërtim karakteristik i shek. XV, kullë e rrumbullakët, ndërtuar me blloqe guri gëlqeror, ku ndërfuten dhe pjesë arkitektonike të periudhave të mëparshme, siç është blloku i gurit gëlqeror me figurën e Hermesit, në funksionin e mbrojtësve të tregtarëve. Ka një akustikë fantastike. Këtu ka interpretuar orkestra e harqeve  e drejtuar nga violinisti durrsak, Florian Vlashi, që tani është violina e parë e Spanjës.

Por disa kohë e pati me qira, për café chantant (bar dhe sallë koncertesh), dramaturgu i famshëm, i burgosur me urdhër të diktatorit Minush Jero. Ai iku më 2006, mes heshtjes së pakuptueshme të medieve. Ai sfidoi Hoxhën. Por jo negligjencën e njerëzve të sotëm. Gjë e trishtuar. Në Paris e ftuan dhe ia shfaqën “Njollat e murrme”, duke cilësuar dramën një pranverë shqiptare. Jero ishte mik i Kadareve, pasi me Helenën kanë qenë bashkëstudentë. Ne e harruam.

Intermexo / Helena e Durrësit

Teksa viziton kështjellën mesjetare, has në një mikrotoponim. Ja “Kulla e Karl Topisë”, të thotë ciceroni. Njihet e tillë rezidenca e Princit Karl Topia, që i dha autonomi politike qytetit të Durrësit. E quante veten “Princ i Arbërisë”, Venediku e cilësonte “Zot i Arbërisë në viset bregdetare të Durrësit”, kurse Papa, më 1374, i njeh titullin, “Kont i Madh i Arbërisë”.

Por këtu ka një histori tejet romantike, me ngjyra sa antike aq mesjetare. Ka një përkim të ngjarjes dhe emrave. Helena e Trojës dhe Helena e Durrësit. Një e mijëvjeçarit III para Krishtit. Tjetra e shekullit XIV pas Krishtit. Foshnjëria e njerëzimit dhe Evropa e pas-Rilindjes, rreth viteve 1300.

Konti i Durrësit Tanush Topia, po shihte Helenën franceze Anzhu, pinjolle familjeje mbretërore, teksa vizitonte kështjellën e Durrësit. Kishte ardhur për të kaluar një natë në “Tavernën e Adriatikut|, sikurse e quante poeti romak Katuli Durrësin. Por ky qytet kishte dhe eponimin “Kostandinopoja e Dytë”.

Një franceze mondane nuk ishte se si të mos tundohej nga tuor-i, po të shprehemi me zhargonin e sotëm, në Durrës, për t’u nisur pastaj brigjeve të Greqisë, ku e priste i fejuari i saj francez, një princ ishujsh.

Helena ishte një bionde bukuroshe franceze, si Helena e Trojës. Dhe “Paridi” shqiptar, Tanush Topia, sikur u godit me vështrim të parë nga bukuria e parezistueshme e Helenë Anzhusë, thonë kronikat historike. Dhe Tanushi e rrëmbeu, por me dëshirën e Helenës, që u dashurua dhe vet me princin shqiptar.

Helena ndërroi mendje. Nuk do të nisej drejt Greqisë, atdheut të Homerit, që krijoi në përfytyrimin e vet një Helenë.

Guvernatori francez e kërcënoi në emër të mbretit për t’ia djegur pronat në Francë, por ajo nuk u lëkund nga dashuria ne shqiptarin. Tanush Topia shpalli dasmën dhe thirri të tërë princërit arbër. Pas një viti u lind një djalë, që ia vunë emrin Karl. Pas shumë vitesh, mbreti Anzhuin i ftoi të shkonin në pallatin e tij në Napoli. Mbreti Robert u kishte dërguar mesazhe se i kishte falur. Helena dhe Tanushi u nisën drejt Napolit, por djalin, Karlin, nuk e morën me vete.

Çifti arbëror-francez u prit me nderime e festime deri natën vonë. Por Robert Anzhi, mbreti, nuk e fali të bijën. Dha urdhër të vrisnin çiftin. Në mëngjes kufomat e tyre ishin zhdukur.

Principata shqiptare mbajti zi. Helenën e Tanushin i qanë me lot të shumtë, si ky shiu i bukur vere, që pastron muret e kalasë mesjetare.

Ndërkaq, biri i këtij çifti, Karli, kur u rrit, u bë sundimtar i Durrësit dhe trevave përreth. Në stemën e tij me zambakë, shtoi dhe luanin e anzhuve. Karl Topia përmendet për herë të parë rreth viteve 1350. Shqipëria quhej “Regnum Albaniae”, me kryeqendër Durrësin. Më 1374, Papa Grigor XI, duke parë forcën e princit Karl Topia, i dha atij titullin “Grande Comte d’Albaniae” (Kont i madh i Shqipërisë). 540 vjet më vonë, në vitin 1914, Durrësi bëhet selia e mbretërisë 6-mujore të Princ Vidit.

Princ Vidi e Noli

Zona historike e Durrësit që shtrihet kryesisht mes mureve të kalasë bizantine dhe asaj turke, të ndërtuara afro 1000 vjet pas njëra- tjetrës, përfshin dhe lagjen 100-vjeçare, e cila ndodhet në të dy anët e rrugës Tregtare.

Gjatë historisë së tij 3-mijë vjeçare qyteti bregdetar është ndërtuar dhe rindërtuar disa herë, thuajse në të njëjtën hapësirë. Kështu ndodhi dhe një shekull më parë, atëherë kur Durrësi kishte pësuar një tkurrje të sipërfaqes së tij gjatë pushtimit turk.

Në fund të shekullit të 19-të qyteti antik kishte 4 mijë banorë dhe, përveçse një pikë e ndjeshme portale, ishte seli e shumë konsullatave të huaja. Pranë limanit nisën të ndërtoheshin godina të mëdha, një pjesë e të cilave u kthyen në rezidenca për të huajt apo në banesa të familjeve të pasura durrsake.

Ngjitur me murin e kalasë mesjetare ishte ndërtuar një pallat në stilin rilindës, i cili shërbeu në vitin 1914 si rezidencë e Princ Vidit. Ndërsa pas saj ndodhej godina e ish-mitropolisë, qendrës administrative të fesë ortodokse. Në kishën pranë u dorëzua prift edhe imzot Fan Noli, i cili më vonë u bë dhe kryetar i Kishës Autoqefale Shqiptare.

Ndërkohë hapja e Rrugës Tregtare dhe ndërtimet e reja të viteve ‘30 e zbehën rëndësinë e godinave shekullore, të cilat sidoqoftë përfaqësojnë kujtesën qytetare të Durrësit në fillim të shekullit të kaluar. Por, nëse zgjidhjet për të ardhmen e banesave 100-vjeçare do të vonojnë, atëherë rrezikojnë të fshihen nga kujtesa shumë histori dhe personazhe të shquara të qytetit të Durrësit.

Lasgushi dhe Rreshpja

Në edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, Poeteka, në një mbrëmje pranverore, mes aromës që lëshonte toka pas “dushit” të shiut, u mbajt një përshpirtje për poetin gjenial Frederik Rreshpja. Por ndodh një kontrapunkt muzikor-poetik.

Mëson një fakt interesant, thuajse prekës dhe me ngarkesë të veçantë simbolike, tragjike, por dhe optimiste. Trupa e teatrit të kukullave të qytetit të Durrësit u përfaqësua me pjesën “Aventura e fundit e Gishtos” të Frederik Rreshpjes në edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove të Kukullave në 17 qershor 2007, në qytetin e Pogradecit.

Tregimi i kukullave për Ardin dembel bëhet më i këndshëm nga personazhet e përrallave Gishto dhe Mjekërgjati. Mesazhet e së mirës dhe së keqes si dhe të dëshirës së fëmijëve për leximin përcillen për spektatorët nga loja e aktorëve të kësaj trupe. Dhe nga buzëdeti shkoi Rreshpja buzë liqenit.

Personazhet gazmore të fëmijëve kontrastojnë me trishtimin gati-gati biblik të Frederikut, që vinte shpesh në Durrës. Kishte mik poetin dhe studiuesin e njohur Moikom Zeqo. Të dy admironin Lasgushin. Të pavdekshmit, Lasgush dhe Frederik, takohen në verë mes gëzimit fëmijëror. Të tillë ishin këta gjigantë të poezisë shqipe.

Por Pogradecin e lidh me Durrësin dhe një fakt tjetër poetik. Nafija, gruaja e Lasgushit ishte nga Durrësi. Në vitin 1941, shtypi i kohës jepte lajmin e fejesës, e cilësuar ngjarje kombëtare, mes gjeniut të liqenit dhe vajzës së detit. Lasgush – Nafije.

Bashkëfitues i Nobelit për Paqen

Ka shumë emra të mëdhenj në Durrës. Të antikitetit. Të mesjetës. Të së sotmes. Por në Durrës jeta vazhdon me mite të reja. Diku has figura të mëdha të skenës si Gulielm Radoja, Mirush Kabashi, Fadil Hasa, Gjergj Vlashi…

Por dhe një nga personazhet e Ismail Kadaresë, me emër real. Personazh dhe mik. Ai quhet Besnik Alibali. Parathënien e librit të tij “50 vjet mbi mina” e ka shkruar Karadeja. Një nga personalitetet e jetës akademike ushtarake, kryetar i Komitetit shqiptar të Miqve Antiminë – anëtar i Fushatës Botërore kundër Minave – bashkëfitues i Çmimit Nobel për Paqe, 1997, me President Nderi Ismal Kadarenë. Alibali është kolonel në rezervë i Forcave të Armatosura me një karrierë të gjatë si ushtarak dhe pedagog, autor tekstesh, librash dhe studimesh, i vlerësuar lart. I dekoruar me urdhra e medalje.

Epilog

Sado të shkruash për Durrësin, s’ke thënë asgjë. Vetëm për 3 vjet janë botuar 10 libra historikë e gjeografikë. Për disa vjet botohej një giudë e përditësuar luksoze turistike për Durrësin. E nxirrte Altin Buka, që mban lidhje me figurat më të njohura të qytetit. Që ka shkrepur me mijëra herë fotoaparatin. Altin Buka gjithmonë befasohet me të panjohurat e sotme e të djeshme të Durrësit.

Një “ishull misterioz thesaresh”, thotë Buka. Ai të përcjell nëpër rrugën e lagur dhe të fton sërish drejt aventurash zbulimi.

Durrësi të kënaq dhe të zhgënjen. Të ngop dhe të sjell urinë e etjen e të njohurës dhe të panjohurës njëkohësisht. Të vdes e të ringjall.

Ti, patjetër do të vish. Në një ditë me diell. Në një ditë me shi. Në një ditë me vapë. Në një ditë me erë e fortunal…

/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/