Nga Gentiana Minga*
E mora vesh nga Daniela që na ekzistoka që prej dhjetë vjetësh në Bolzano, Qyteti i Fëmijëve. Daniela nxiton këtë mëngjes vere, sepse duhet të shoqërojë Beatriçen te Qyteti i Fëmijëve. E gjithë Bolzano noton në një lumë vape e fëmijësh që mbushin rrugët në fillim pushimesh. Në çdo udhëkryq janë shtuar gjyshërit vullnetarë që bëjnë rojë urbani për nipërit, u veshin gjyshërve, të dëshirueshëm të vihen në shërbim, nga një jelek jeshil fosforeshent ku është shkruar: “gjyshi rojë urbane” dhe ata vihen në udhëkryqe për t’u kujdesur që fëmijët të kalojnë vijat e bardha pa shqetësime, ndalojnë me një lëvizje autoritare makinat që vijnë me shpejtësi, u zgjasin duart bebave të vegjël, i shoqërojnë të kalojnë e pastaj u drejtohen në një farë zhdërvjelltësie për t’u pasur zili makinave duke u liruar rrugën. Është verë dhe për herë të parë dëgjova të flitet për Qytetin e Fëmijëve. Madje Daniela më shpjegon që sot ka një mbledhje të rëndësishme, sepse dikush nga qytetarët ka futur në lëvizje përdorimin e parave false. Dhe vlera e parave në Qytetin e Fëmijëve na qenkan gali. Na ekzistoka pra Qyteti i Fëmijëve, ku vetë fëmijët krijojnë komunën e tyre, zgjedhin kryetarin, hapin ndërmarrje, investojnë, blejnë e shesin. Për t’u dhënë shembull të rriturve çdo verë në një zonë që ruhet po nga fëmijët, në nëntokë, poshtë dhe fshehur, është një qytet i tërë ku drejtojnë fëmijë të bardhë, të zinj, ezmerë, vajza me vel e pa vel, kinezë të vegjël e gjermanë të kuq. Kanë një parukeri, kanë një kinema ku shohin filmat që duan, bëjnë mbledhje dhe shpërndajnë letra që u vinë përtej botës së tyre, nga të rriturit. Organizohen në sindikata dhe zgjedhin në mënyrë të drejtë drejtuesin e tyre. Nëpër dyqane shiten objekte të bëra me dorë nga fëmijë të tjerë, dhe çdo fëmijë duhet të punojë që të fitojë gali, e të blejë për shembull një palë vathë që kushtojnë pesë gali. I fitojnë me djersën e tyre fëmijët këto gali e ngjajnë të lumtur. Ç’është më interesante, e më lini ta them këshilluese për të rriturit, është që çdo javë ndërrohen postet, ndërrohen kryetarët e komunës, qarkullon eksperienca e ndryshohen e provohen metoda të reja. Për ta është një ishull qetësie e shprese në një botë jashtë tyre, ku të rriturit janë në një garë të çmendur sesi të shkatërrojnë më mirë e më shpejt atë që një mendje e virgjër fëminore e ndërton me lehtësinë natyrale që e trashëgoi nga krijuesi. Është një moment i acaruar në Bolzano që i shkon shumë për kundër Qytetit të Fëmijëve. Lajmi i një shkolle fillore, ku drejtoresha ka vendosur t’i fusë tërë fëmijët e huaj në një klasë duke i ndarë nga fëmijët autoktonë, na ka trishtuar të tërë. Në fillim e justifikon se këta fëmijë i ulin ritmin e mësimit klasës, pastaj del qartë që prindërit autoktonë nuk kanë dëshirë të lënë fëmijët e tyre bashkë me fëmijët e huaj. Një pyetje rrëmbimthi më erdhi në mend: Pse fëmijëve nuk u besojmë një qytet të vërtetë, një shtet të tërë, një mendësi të tërë, para se këta fëmijë të bëhen si ne, vetëshkatërrues e mediokër, të verbër e të mekanizuar, të imunizuar nga e drejta e parehatshme, por e shëndetshme. Them: e sikur të jenë fëmijët ata që kanë gjithçka në dorë? Do të hanim më shumë çokollata në mëngjes, do të dilnim më shpesh shëtitje ndërsa dielli lind, e do të kërcenim me litar ndërsa perëndimi mbështetet mbi botë si përherë? Dhe më kujtohet Kosimo, baroni në pemë i Kalvinos, fëmija rebel që, pasi vendosi të mos hante kurrë kërmijtë që i gatuanin thuajse përherë, refuzoi t’u nënshtrohej rregullave të pakuptimshme të të rriturve. Që në atë moment Kosimo fëmijë që u bë baron, jetoi mbi një pemë dhe nuk e preku kurrë tokën derisa një ditë prej ditësh, i plakur u zhduk në qiell. Daniela më tregon që fëmijët e qytetit kanë një gazetë të tyre, ku shkruajnë të rejat ditore e lajmërimet për të nesërmen. Sot për sot, pikërisht meqë ndërrohen çdo ditë, kinezi Huan është postieri, Isabella kolumbiane bën parukeren, Muhamed ka vendosur të shkojë në universitet, kurse Markus do të bëjë gazetarin. Do të ishte qesharake të pretendosh që Qyteti i Fëmijëve të jetë model i qytetit të të rriturve? Naive nëse merret si model filozofik? Tek e fundit nuk është e drejtë që një fëmijë i mërzitur nga budallallëku i të rriturve t’i ngjitet një peme lisi si baroni i Ombrosës e të qëndrojë atje derisa të vdesë. Më duket më e drejtë të vihen të rriturit e t’u mbështeten kreshtave të pemëve derisa të bëhen fëmijë, e si të tillë gati për përpjekje të pastra, të tejdukshme, të paprishura. Le t’u lënë të rriturit fëmijëve si Kosimo të jetojnë parajsën tokësore derisa çmenduritë e tyre të fashiten në një humnerë pa kthim dhe baroni të zbresë nga pema, princi i vogël të gjejë lulen, e jeta kuptimin e jetës.
http://gazeta-shqip.com/lajme/
* Shkrimtare dhe gazetare durrsake, me banim në Itali





