Djaloshi pesëvjeçar, i cili kishte rënë në një pus me thellësi 32 metra në Marok, është nxjerrë i vdekur pas pesë ditëve ngujim.
Pas ditësh të tëra gërmimesh, një ekip mjekësh shkuan me nxitim në tunelin e ndërtuar për ta nxjerrë jashtë. Sipas burimeve marokene, fëmija ishte gjallë në momentin e daljes nga pusi.
“Një skenë prekëse dhe e paparë më parë”, shkruan gazeta Le Matin, duke raportuar përfundimin e operacionit për nxjerrjen e vogëlushit.
Një gazetar i Associated Press, i pranishëm në vendngjarje, e pa atë të mbështjellë me një batanije të verdhë.
Megjithatë, pak më vonë, një deklaratë zyrtare njoftoi vdekjen e 5-vjeçarit.
Kabineti i Shtëpisë Mbretërore të Marokut konfirmoi se “fëmija vdiq nga plagët e marra gjatë rënies”. Mbreti i Marokut, Muhammed VI, i shprehu ngushëllime familjes.





