Një grua 31 vjeçare ka arritur të mbijetojë për 38 orë në det, pasi ka rënë nga një anije kroçerë, e nisur nga Shangai e me destinacion Korenë e jugut dhe Japoninë.

Sipas BBC online, gruaja ka rënë nga kati i katërt i kroçerës së Royal Caribbean, rënie kjo e barabartë me atë nga kati i shtatë i një pallati shumëkatësh.

Thirrjet e saj nuk janë dëgjuar nga askush, ndërkohë prindërit e vajzës, të cilët udhëtonin me të, janë kujtuar veç disa orë më vonë për mungesën e saj.

Për 38 orë me rradhë, 31 vjeçarja ka qëndruar në ujë pa u mbështetur askund, pa ujë dhe pa ushqim.

Ajo është shpëtuar nga një peshkarexhë dhe përveç disa plagëve të lehta në krahë, të shkaktuara nga meduzat, është në gjendje të mirë shëndetësore.

Aventura e saj në det është komentuar mjaft në rrjetet sociale në Kinë. Disa nuk e kanë besuar si histori, por disa të tjerë e kanë cilësuar mrekulli.