Pas më shumë se 24 orë kërkimesh, forcat e kërkim-shpëtimit kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të shtetasit L.A, 30 vjeç, i cili një ditë më parë kishte rënë në një humnerë në vendin e quajtur “Maja e Thatë”.

Shërbimet e Policisë Tropojë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë dhe tre shtetas të tjerë kosovarë të cilët kishin mbetur të bllokuar dhe ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i policisë:

Tropojë /Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një shtetas kosovar, i cili në vendin e quajtur “Maja e thatë”, dyshohet se për shkak të terrenit të thepisur malor, kishte rënë nga një lartësi dhe për pasojë kishte humbur jetën , ju informojmë se;

Kërkimet kanë vijuar që prej mëngjesit të sotëm nga shërbimet e Policisë Tropojë së bashku me ekipin e kërkim-shpëtimit malor të Kosovës.

Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit L. A., 30 vjeç, i cili do të transportohet drejt morgut.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë Tropojë dhe ekipi i kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë dhe tre shtetas të tjerë kosovarë të cilët kishin mbetur të bllokuar dhe ishin në gjendje të mirë shëndetësore.