Juventus mundi me rezultatin 1-0 Romën në ndeshjen e fundit për këtë vit dhe i afrohet Interin në krye të klasifikimit me dy pikë larg.

Në ndeshjen mes Allegrit dhe Mourinhos, pas shtyllës së Cristante në startin e ndeshjes për Romën, ishte Juventusi ai që krijoi rastet më të pastra me Vlahovic dhe Kostic në pjesën e parë.

Sulmuesi serb ishte protagonist në minutën e 47-të me asistin që kaloi Rabiot përpara Rui Patricio për golin që pati vlerën e tri pikëve.

Adrien Rabiot vazhdon të deklarojë hapur se objektivi është titulli, pavarësisht fjalëve të Massimiliano Allegrit, i cili mbetet te kualifikimi në Champions League:

“E ndoqëm ndeshjen e Interit dhe e dinim se mund ta shkurtonim diferencën. Kemi besuar te titulli kampion, para dhe tani, pas kësaj fitoreje, ne besojmë edhe më shumë. Është një objektiv për mua dhe për të gjithë ekipin, por sezoni është ende i gjatë. Nuk kisha shënuar ende në Allianz Stadium, jam i lumtur që e kam bërë para këtyre tifozëve të jashtëzakonshëm. Edhe ata besojnë te titulli, duhet ta bëjmë edhe për ta”, tha mesfushori francez.

Sa i përket të ardhmes, Rabiot nuk flet shumë: “Ndihem mirë këtu, por ende duhet të mendoj për këtë dhe të flas me klubin. Ne do të flasim për këtë më vonë, jam i qetë dhe po mendoj duke shijuar ndeshjet”.