Itali, 16 prill 2014– Të jesh shqiptar në një vend të huaj nuk është edhe aq e thjeshtë, pasi urrejtja ndaj një kombi të vogël si Shqipëria është diçka që ndodh rëndom nëpër botë. Shpëtim Hala është një nga të shumtët që ka provuar “baltën” e të huajve mbi supe, më konkretisht nga vendi fqinj dhe aq i dashur për ne shqiptarët në aspektin e futbollit, Italia. Nga një gazetar i njohur në Elbasan në vitet 1998-2002, e braktis këtë profesion dhe niset për një jetë më të mirë drejt Italisë për rreth 12 vjet. Shpëtim Hala, 33-vjeçari nga Librazhdi, një gjyqtar profesionist në shtetin fqinj që ka arbitruar skuadrat e moshave në këtë vend, por edhe të të rriturve në provincën e Padovës, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” tregon se si iu desh që të ndërmerrte një vendim ekstrem për jetën e tij: të braktiste arbitrimin dhe të kthehej në Shqipëri. Ekstreme ishin edhe kërcënimet, pasi e dënuan me “vdekje” se ishte shqiptar dhe jo italian.
Shpëtimi rrëfen se rikthimi në Shqipëri ishte i detyruar nga kërcënimet që merrte gjatë punës si gjyqtar profesionist në ndeshjet e futbollit, kryesisht ndeshje të moshave në rang kombëtar. Ai arbitronte në rang qarku takimet e të rriturve si dhe ka qenë drejtues i kolegjiumit të gjyqtarëve në zonën Este të Padovës.
Sipas Shpëtimit, "të jesh i huaj dhe të punosh si arbitër, nuk të kanë me sy të mirë dhe të diferencojnë nga vendësit".
“Në shumë ndeshje më kanë fyer, duke më ofenduar rëndë nga fakti që jam shqiptar, aq sa në shumë raste jam shoqëruar me polici nga fusha dhe stadiumi. Në 6-7 raste ka qenë policia ajo që më ka nxjerrë nga stadiumi me eskortë, sepse nuk më linin tifozët dhe drejtues të skuadrave pasi, mesa duket, donin ta zgjidhnin gjithçka sipas mënyrës së tyre. Për të mos thënë pastaj për ofendimet që nuk mund të numërohen si “Shqiptar m…! Shko andej nga ke ardhur! Nuk kemi nevojë për ty!”,– thotë Shpëtimi. Madje ai shton se kërcënimet e marra kanë qenë deri me jetë si dhe është kanosur familja e tij nga ana e tifozëve dhe drejtuesve të Relovos.
Kthimin në Shqipëri ai e sheh si një mundësi për të nisur punë të re këtu, megjithëse nuk përjashton edhe rikthimin në Itali, por këtë herë duket i vendosur për të mos ushtruar më profesionin e arbitrit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





